LDK pranon Vjosa Osmanin për presidente

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për të qenë Presidente e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për Euronews Albania pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Kryesia e Lidhjes Demokratike te Kosovës ka vendosur të qëndrojë në sallë për t’i bërë kuorumin e nevojshëm Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës. Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku pritet që të takohet me grupin parlamentar ku do t’u bëhet i ditur qëndrimi i kryesisë së partisë.

“Po janë sinjalet për vota pro Vjosa Osmanit”, i ka thënë një zyrtar i LDK-së Telegrafit.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron çështje ditësh, zgjedhjen e Osmanit presidente të vendit, ndërsa refuzon në mënyrë të prerë një kompromis të mundshëm për një emër tjetër. Vetë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar më herët edhe krerët e subjekteve politike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, të cilët  kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kandidaturën e zonjës Osmani.

Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet 80 deputetë të pranishëm në sallë.  Në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ka mbetur ende me pikëpyetje lista serbe, anëtarët e të cilës janë të pakënaqur pasi kryeministri Albin Kurti iu akordoi vetëm një pozicion ministror, ndërkohë që ata pretendonin dy.

 

 

 

Shtuar 30.03.2021 10:03