Gjatë një vizite zyrtare në Hagë, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me ministrin holandez të Drejtësisë dhe Sigurisë, David van Weel, ku u bë e ditur se Shqipëria dhe Holanda po punojnë për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Sipas Lamallarit, në këtë takim u diskutua një marrëveshje mes dy qeverive që synon të forcojë bashkëpunimin institucional dhe operacional ndërmjet të dy vendeve.
Të lidhura
None found
Ministri shqiptar paraqiti edhe rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar. Ai vuri në dukje ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve pranë Policisë së Shtetit, si edhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
“Rikonfirmova vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare dhe ndava me të rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftë kundër krimit të organizuar, përfshi ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve pranë Policisë së Shtetit dhe menaxhimin efektiv të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara duke evidentuar potencialin e bashkëpunimit në drejtim të forcimit të mekanizmave të hetimit financiar dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese”, thotë ministri Lamallari.
Ai nënvizoi gjithashtu se të dyja palët kanë konfirmuar angazhimin për të thelluar shkëmbimin e informacionit dhe për të zgjeruar bashkëpunimin operacional mes strukturave policore.
Po ashtu, Lamallari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës ndaj proceseve reformuese në Shqipëri dhe rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, progresi në negociata është i dukshëm dhe synimi për mbylljen e fazës teknike brenda vitit 2027 mbetet i realizueshëm.
“Konfirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional policor. Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës në proceset tona reformuese dhe në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Progresi ynë me negociatat është evident dhe objektivi ambicioz për përmbylljen e fazës teknike brenda 2027 është plotësisht i arritshëm”, shkruajti Lamallari rrjetet sociale.
Gjatë qëndrimit në Hagë, ministri Lamallari pritet të zhvillojë takime edhe në Eurojust dhe Europol.
