Laert Haxhiu kërcënoi dy prokurorë, reagon Ambasada Amerikane: Jemi thellësisht të shqetësuar

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka reaguar pas dëshmive tronditëse të bëra nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili theksoi se me urdhër të Laert Haxhiut dy prokurorë ishin nën vëzhgim, dhe ishte planifikuar eleminimi i tyre.

Përmes një reagimi në Facebook, Ambasada Amerikane, thekson se është e shqetësuar për situatën. Në reagim thekshet gjithashtu se populli shqiptar kërkon një sistem drejtësie që funksionon pa kërcënime.

Ambasada e SHBA rithekson mbështetjen e palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri që luftojnë  korrupsionin dhe krimin e organizuar.


Mesazhi i plotë i Ambasadës amerikane në Tiranë:

Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje.

Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.

 


Shtuar 4.10.2023 17:34