Krisja e marrëdhënies Kim-Meta, mediat ndërkombëtare: Presidenti e ka akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit

“Presidenti i Shqipërisë ka akuzuar ambasadoren amerikane për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të vogël evropian, duke mbështetur kryeministrin e tij në zgjedhjet e ardhme parlamentare”, shkruan “Associated Press”, teksa komenton deklaratat e forta të presidentit, Ilir Meta, drejtuar ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Sipas AP-së, Meta foli ashpër për ambasadoren Yuri Kim gjatë një bisede televizive të premten mbrëma. Gjithashtu shkruan edhe për thirrjen që presidenti i bëri diplomates amerikane për “të ndaluar së mbështeturi kryeministrin Edi Rama, i cili po shkel zgjedhjet”.

“Teksa shfaqja po transmetohej në Syri televizion, Kim i dërgoi një mesazh me tekst Metës. Gjithashtu shkroi në “Twitter” në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen të dielën, duke iu përgjigjur një paralajmërimi që Meta dha këtë javë, që shqiptarët të mprehin shpatat dhe mjete të tjera, nëse kryeministri përpiqet të manipulojë votimin ose rezultatet”, shkruan më tej AP.

“E papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin sfurqet në 25 Prill nëse nuk pëlqejnë rezultatin e zgjedhjeve. Këto kërcënime duhen dënuar. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre. Mjaft më”, shkruante Yuri Kim në “Twitter”.

“Dy partitë më të mëdha politike të Shqipërisë janë rivalë të hidhur të zgjedhjeve. Përballjet midis mbështetësve të qeverisë Rama dhe opozitës, kulmuan të mërkurën me vdekjen e një mbështetësi të Partisë Socialiste në qeverisje. Policia ka njoftuar se viktima u qëllua nga një anëtar i Partisë Demokratike të opozitës, gjatë një debati që përfshinte anëtarët e kampeve kundërshtare”, shkruan më tej AP.

Më pas “Associated Press” shkruan se Meta ka denoncuar Ramën për drejtimin e një “regjimi kleptokratik”, ku të gjitha fuqitë legjislative, administrative dhe gjyqësore përqendrohen te kryeministri.

“Ai gjithashtu akuzoi Ramën për situatën e vendit nga pandemia si dhe për vonesën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Presidenti mban postin pa përkatësi partie. Meta më parë drejtonte Lëvizjen Socialiste për Integrim, të krahur të majtë, që tani drejtohet nga bashkëshortja e tij”, shkruan AP.

Pjesë e shkrimit të AP-së:

Gjatë bisedës së premten mbrëma, Meta e quajti Ramën një “gangster” dhe një “të sëmurë psikik”. Ai gjithashtu u trazua dukshëm pasi mori mesazhin e Kim dhe bëri pretendime ekstreme në lidhje me ambasadoren e SHBA. Në një moment, presidenti la të kuptohej se Kim mund të ishte pjesë e një fushate ndërkombëtare lobimi kundër tij e udhëhequr nga Serbia.

“Ka qarqe të korruptuar. Ka lobim të paguar nga Serbia, atje (në SHBA) dhe në vendet e tjera, të cilët përdorin përfaqësuesit e Amerikës kundër Ilir Metës”, tha presidenti shqiptar.

Gjithashtu Meta pretendoi se Kim i ka thënë atij gjatë një telefonate: “Ne dimë disa gjëra për ty”.

“Unë i kam thënë (Uashingtonit) që nëse ke ndonjë problem me mua, të lutem më njofto, sepse e di që mund të më vrasësh edhe mua”, tha ai. Meta shtoi se ai do të shkonte në një mal aty pranë dhe pastaj “ju mund të lëshoni një raketë mbi mua, në mënyrë që të mos dëmtoj njerëzit e tjerë”.

Ambasada Amerikane në Tiranë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për komentet mbi vërejtjet e Metës.


Shtuar 24.04.2021 15:59