Kosova jep lajmin: Vaksina edhe për fëmijët mbi 12-vjeç!

Qeveria e Kosovës ka vendosur që në vazhdën e vaksinimit të popullatës, të vaksinojë edhe fëmijët mbi 12-vjeç.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, i cili ka aprovuar rekomandimin e dhënë nga trupa profesionale e mjekëve për imunizim kundër COVID-19.

Fëmijët mbi 12 vjeç do të vaksinohen me vaksinën Pfizer.

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Numri i fëmijëve të infektuar me COVID-19 në Kosovë gjatë ditëve të fundit është rritur dukshëm.

Vetëm në 24 orët e fundit nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se 14 fëmijë deri në 9 vjeç janë konfirmuar me COVID-19.

Ndërkaq, numër i madh i të infektuarve është edhe nga mosha 10 deri në 19 vjeç.

Shifrat e djeshme ishin shqetësuese po ashtu, ku në mesin e të infektuarve ishin 21 fëmijë të moshës prej 0-9 vjeç./albeu.com/


Shtuar 16.08.2021 19:52