Konferenca e Ambasadorëve Diplo 2024/ Ministri Hasani: Ligji i ri, energji për diplomacinë tonë, s`duhet ta ulim ritmin e punës

Ditën e sotme, në Tiranë po mbahet “Konferenca e Ambasadorëve Diplo 2024”. Në fjalën e tij hapëse, ministri Igli Hasani, u shpreh se politika e jashtme shqiptare ka njohur vitet e fundit arritje të panjohura më parë.

“Këto arritje kanë forcuar imazhin e vendit dhe e kanë bërë diplomacinë më pro aktive. Konferenca është një instrument efektiv se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë në vijim. Nuk duhet ta ulim ritmin e punës, nuk duhet të ngecim në vend”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Hasani foli edhe në lidhje me ligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm, për të cilin tha se do t’i shërbejë frymës së re e dinamikës jashtë e brenda vendit, si dhe synon t’i japë një energji të re diplomacisë sonë.

“Ligji i ri nuk do të jetë streha e të paaftëve e mediokreve, por atyre që e duan këtë profesion. Do të hapë dyert e shërbimit të jashtëm për këdo shqiptar që bashkëpunon me organizatat”, u shpreh ai.


Shtuar 26.08.2024 09:53