Kapja e 400 kg kokainë, cila është kompania shqiptaro-kosovare që kishte porositur mishin në Brazil

Detaje të reja bëhen me dije nga sekuestrimi i 400 kg kokaine në Kosovë.

Bëhet me dije se kompania e cila kishte porositur sasinë e mishit në Brazil është kompania Mcfood.

Kjo kompani, rezulton se është  krijuar në nëntor 2020 me bashkëpronarë shqiptar dhe kosovar, raporton abc news.

Në kamionin e saj u kapën 400 kg kokainë, Kompania Mcfood.al në pronësi të Izet Sheqirit e Bledar Habilit.

Operacioni

Autoritetet kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.

Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e kokainës.

Dy ngarkesa të tjera

Gjatë periudhës së pritjes së sasisë rekord të kokainës, në portin e Durrësit kanë hyrë dhe ngarkesa të tjera në sasi më të vogla, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Sasitë e bllokuara janë 142 kilogram kokainë në datën 10 prill dhe 49 kilogram të tjera u kapën më datë 1 prill. /albeu.com


Shtuar 17.05.2021 16:47