Kandidatja për deputet: Rama është i pakënaqur me Ballën, kjo është arsyeja

Kandidatja për deputete e LSI për qarkun e Elbasanit, Miranda Rira në një intervistë  ka dënuar ashpër ngjarjet e fundit politike të ndodhura në Elbasan. Rira u shpreh se qytetarët e Elbasanit janë të pakënaqur nga qeverisja 8-vjeçare dhe tashmë janë duke kërkuar ndryshimin.

Më tej Rira komentoi ngjarjen e Ditës së Verës, ku qytetarë të dy krahëve politikë kryesore në Shqipëri u përleshën me njëri-tjetrin.

Sipas Rirës këto gjëra ndodhin dhe do të ndodhin për sa kohë kryetarët e forcave politike shoqërohen me ‘çunat e fortë’, shkruan faxweb.

“Njerëzit janë të pakënaqur nga qeverisja e 8 viteve, të cilët premtuan shumë dhe ajo që vihet re është propagandë boshe dhe asgjë më tepër. Ka një specifik qarku i Elbasanit për shkak të pozitës gjeografike, por më shumë për shkak të atyre që e kanë qeverisur Elbasanin në këto 8 vjet dhe besoj që ka një reagim ‘underground’ të shumë njerëzve të cilët mesi presin datën 25 Prill për shkak të abuzimeve që janë kryer për shkak të pushtetit që ata kanë. Nuk e di nëse është parë në ndonjë vend tjetër që Sekretari i Përgjithshëm të vendos për të gjitha vendet bosh, për të gjitha vendet vakante të punësimit në sektorin e shëndetësisë dhe arsim-ju kujtoj që Elbasani është një qytet universitar ku ka lindur dhe është zhvilluar në emër të ‘Normales’ së Elbasanit, por jemi në një fazë ose në një kohë kur 13 degë janë mbyllur-pra shumë premtime dhe propagandë të bërë nga qeverisja aktuale.

Është e ditur tashmë që ai i cili ka drejtuar Elbasanin me një ‘dorë të hekurt’, ai i cili ka dirigjuar të gjithë tenderat në Elbasan, ai i cili ka vendosur kë do të punësojë e kë jo, ai i cili ka qeverisur dhe ka abuzuar është ai i cili deri ditën e fundit ishte ‘numri 1’ në Elbasan, por që tashmë fatkeqësisht është ‘numri 8’, bëhet fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, kështu që edhe reagimi i fortë që bëhet për pakënaqësitë është për Taulant Ballën.

Lëvizja e Partisë Socialiste pak minuta para se të shpallte listën e saj, të gjithë mendonin se kryetari ose Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla do të ishte ‘numër 1’ edhe pse kishte zëra se vetë kryetari i PS-së donte që ta largonte zotin Balla dhe këtë e dha duke e vendosur në numrin 8, siç dihet ky është një vend dhe një pozicion në listë që është jo fitues për shkak se  ka një rritje, siç e thonë dhe sondazhet ka një ringjallje dhe rikthim shprese te ata që kanë qënë në fakt themeluesit e saj. Ndërsa koalicioni i madh ka krijuar një frymë shumë të re e cila ndihet çdo ditë në takime me njerëzit.

Lista e PS-së nuk kishte asnjë gjë të re, një pjesë prej tyre janë emra enigmatikë që nuk kanë asnjë lloj kontributi në Elbasan dhe në sektorët e tyre. Nuk ka emra emblematik siç është zonja Açka e cila është një shkrimtare, një emër i njohur e kështu me rradhë. Vënia në listë e zonjë Evis Kushi nuk ishte ndonjë risi.

Prisja që PS-ja të përfshinte në lista zotin Musa Ulqini i cili është një njeri i papërlyer nga korrupsioni, ndryshe nga Taulant Balla që të gjithë e njohin dhe ja dinë bëmat në Elbasan për mënyrën se si ka shkatërruar pyjet e lumenjtë.

 

Nuk i ka hije asnjë kahu politik përfshirja në përleshje fizike. Mund t’u them se nuk më bën çudi kjo gjë pasi para pak javësh kemi parë që sekretari i përgjithshëm i PS-së është shoqëruar me një person që kishte rekorde kriminale i dënuar në Itali.

Për sa kohë këta kandidatë mbledhin pas vetes së tyre individë me rekorde kriminale, të cilët janë persona të pastër, por me probleme me drejtësinë, atëherë nuk ke se çfarë pret tjetër dhe padyshim ishte një pamje e trishtë për tu parë dhe nuk i ka hije askujt sidomos në Ditën e Verës. Kjo përplasje mes dy kampeve kryesore në Elbasan nuk ishte gjëja më e hijshme në gjykimin tim.

 

Por ama për sa kohë kandidatët zgjedhin njerëz, çuna të fortë me të cilët ata shoqërohen, unë mendoj që mund të kemi skena të tjera të përsëritshme deri në 25 Prill, mbase në një lloj incidente dhe të një mase edhe më të fortë, për shkak edhe të përfshirjes së çunave të fortë në shtabet elektorale në kampet kryesore.”, u shpreh Rira.

Shtuar 24.03.2021 05:03