Ilir Daja pret një derbi rivalizues: Dinamo synon vetëm fitoren ndaj Tiranës

Pas triumfit 2-1 përballë kampiones Egnatia, Dinamo ka rikuperuar besimin dhe tani përgatitet për derbin e kryeqytetit me Tiranën, në javën e 8-të të Abissnet Superiore.

Në një prononcim për faqen e klubit, trajneri Ilir Daja foli për sfidën që skuadra e tij do të luajë nesër në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, duke nisur nga ora 13:30.

Të lidhura

None found

Derbi ndaj Tiranës?

Derbet janë për t’u fituar. Ato sjellin rivalitet të fortë dhe kërkojnë grintë, ndërsa të dyja skuadrat synojnë të japin gjithçka për të dalë me sukses.

Në ndeshje të tilla duhet përqendrim dhe vëmendje e lartë në çdo çast, sepse shpesh janë detajet vendimtare. Kampionati ka hyrë në një fazë ku skuadrat e kanë konsoliduar mënyrën e lojës, ndaj pres një përballje të bukur dhe të luftuar.

Cili është synimi i Dinamos për këtë ndeshje?

Gjatë ditëve të fundit jemi përgatitur mirë, me objektivin e qartë për të marrë maksimumin nga kjo përballje.

Ne e respektojmë kundërshtarin dhe e vlerësojmë, por duhet të vijojmë me fitoret, pas rikthimit te suksesi në ndeshjen e fundit. Synojmë të ruajmë këtë ecuri pozitive dhe të dëshmojmë sërish aftësitë tona në fushë.

Si ndikon koha e shkurtër e përgatitjes dhe a mund të ketë rotacion?

Të dyja skuadrat kanë pasur të njëjtën kohë për t’u përgatitur për derbin, prandaj kjo nuk besoj se i jep avantazh apo disavantazh asnjërës.

Jam i kënaqur me punën serioze dhe të përkushtuar të lojtarëve gjatë këtyre ditëve. Mund të ketë ndryshime në formacion, por pa prishur ekuilibrat apo mënyrën e lojës së skuadrës.


Shtuar më 28.10.2026 19:48