I kërkoi bashkëpunim, Rama dhe Basha takim në Rinas?

Komisioneri për Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi dha disa mesazhe të forta gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama.

Por, krahas vaksinave që erdhën mbrëmë dhe lajmit se BE mund të lehtësojë lëvizjen e shqiptarëve në territorin e saj, duket se vizita e tij në Tiranë mund të ketë sjellë edhe një rezultat tjetër, i cili lidhet me një kontakt të mundshëm fizik mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.

Çfarë ndodhi?

Kreu i opozitës Lulzim Basha erdhi më herët se sa ishte planifikuar me eskortën e tij në zonën ku do të zhvillohej takimi i tij me Varhelyi-n.

Ndërkohë që Basha hyri, Rama dhe Varhelyi ndodheshin ende në takim duke bërë që kreu i opozitës të priste në brendësi të ambienteve VIP të aeroportit.

Basha priti gjithashtu ndërkohë që Rama dhe Varhelyi mbaruan konferencën për shtyp. Fill pas saj, nisi takimi Basha-Varhelyi, por në vend që të largohej, ka qenë kryeministri Rama që ndejti brenda ambienteve VIP të aeroportit.

Më pas, gazetarët panë që eskorta e Ramës dhe e Bashës të largoheshin njëkohësisht nga Rinasi, gjë që tregon se kryeministri ka pritur që të mbaronte edhe takimi i kryeopozitarit me Varhelyi-n.

Gjatë gjithë këtyre momenteve, nuk përjashtohet mundësia që mes dy liderëve të ketë patur një takim kokë më kokë apo edhe në prani të Varhelyi-t pasi ambientet ku kanë pritur ata janë tepër të vogla, ç’ka e bën të pamundur mos pasjen e një kontakti.  /albeu.com/


Shtuar 5.05.2021 11:40