I goditën me qytën e kallashit, kush është çifti që u dhunua dhe grabit gjatë natës

Gjergj e Vitore Doçi janë goditur me qytën e armës tip kallashnikov, dhe janë dërguar për kurim në spitalin e Lezhës.

Deri tani janë shoqëruar 10 persona që dyshohen si autorë, ndërkohë që Policia ka mbledhur provat materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Zyrtarisht thuhet se grabitësit kanë marrë një sasi lekësh dhe aparatë celularë të bashkëshortëve.

Ndërkohë policia thotë se ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Lezhës, ndërkohë që gjendja e çiftit që ka mbetur i plagosur nuk bëhet me dije.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 24.05.2021, pas mesnatës, në fshatin Spiten, Lezhë, jemi njoftuar nga shtetasi Gj.D., se dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur në banesën e tij duke i dhunuar atë dhe bashkëshorten shtetasen V.D.,47 vjeçe, një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë.

Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.


Shtuar 24.05.2021 08:31