Humbi jetën në Munellë, miqtë e Ndoc Mulajt: Iku me malin, ashtu siç deshi

Ndarja nga jeta e Ndoc Mulajt ka trishtuar shumë miqtë e tij. Ata kanë folur për emisionin “Shqipëria Live” duke e kujtuar si një person që e dashuronte me shpirt malin, ndaj do të jetë e vështirë që të zëvendësohet.

Ndoc Mulaj ishte duke eksploruar në malin e Munellës me gazetarin Alfred Lela dhe dy operatorë kur ra në humnerë dhe ndërroi jetë. Trupi i tij i pajetë u gjet pas 6 orë kërkimesh.

Agustin: Po është i vështirë jo vetëm në dimër por edhe në verë. Unë e dua malin por asnjëherë nuk e kam marrë guximin ta ngjis sepse e kam fobi. Ndoci ishte i rrallë, e dashuronte me shpirt malin, ashtu siç e deshi, iku dhe me malin. Ai dhe ditën e fundit të vitit e ndau me malin, ku dha dhe jetën. Herën e fundit që kam kontaktuar ka qenë në datën 16 sepse bashkë kemi eksploruar malin e Kërrabës.

Altin: Një ditë para ngjarjes kam folur me Ndocin. Ai ka arritur të bëjë diçka të jashtëzakonshme. Ai arrinte të na bashkonte dhe prezantonte miq, aktorë të turizmit dhe ishte gjithëpërfshirës, njihte bimësinë e egër. Kam frikë se nuk do ta zëvendësojë dot njeri Ndocin. Do na mungojë shumë edhe nga ana praktike.

Zef Gjeta: Ai Thethin e donte pa rrugë. Ndoci i ka munguar shumë familje se ka dalë shumë. Unë e di se sa mall e kishte familjen, sa fliste për ta dhe mallin për ta. Ka shumë shokë të tij që do i mungojnë shumë. Unë doja Ndocin siç ishte. Ishim në majë të malit dhe thoshte që Marini e ka bërë këtë emisionin dhe do mundohemi të bëjmë dhe diçka tjetër.

Marin Mema: Shkonte përtej eksploruesit. E kuptonte se në udhëtimet që bënte, duhet të ruante zonat e thella. Ai mund t’i ketë munguar familjes, por i ka shërbyer shumë Shqipërisë. I thoja ti nuk do të vdesësh./tch


Shtuar 4.01.2022 14:08