Heqja e pasaportave diplomatike lojtarëve të Kombëtares, reagon Xhaçka

Qeveria e Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit, që lojtarët e Kombëtares, të cilët ishin pajisur me pasaporta diplomatike, duhet që ta dorëzojnë atë.

Në lidhje me këtë lajm bërë publik ditën e sotme ka reaguar ministrja e Jashtme Olta Xhaçka,.

Sipas Xhaçës, e gjitha është zhurmë për asgjë duke qene se pasaportave diplomatike iu ka mbaruar afati e prandaj duhet që të dorëzohen, siç ndodh edhe me dokumente të tjera në Republikën e Shqipërisë.

Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.

Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares ?? që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë.

Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016.” – shkruan Olta Xhaçka.

Kujtojmë që futbollistët e kombëtares dhe delegacioni i saj u pajisën, me pasaportë diplomatike pas një VKM të datës 23 qershor të vitit 2016, menjëherë pas përfundimit të aventurës në Kampionatin Europian, por me një tjetër VKM të datës 12 qershor të vitit 2019, këto subjekte nuk cilësohen më si kategori që e gëzojnë këtë të drejtë.


Shtuar 1.04.2021 16:00