Në një aktivitet të organizuar për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, deklaroi se historia e Amerikës nuk ndërtohet vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përmes miqësive dhe partneriteteve të krijuara nëpër botë, duke veçuar raportin me Kosovën.
Ajo nënvizoi se SHBA-ja është në krah të Kosovës, ashtu siç, sipas saj, edhe Kosova ka qenë gjithmonë në krah të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Prattipati: Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës
“Pak miqësi e mishërojnë më qartë këtë frymë sesa ajo që është ndërtuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Kjo është një marrëdhënie e ngritur mbi vlera të përbashkëta, respekt reciprok dhe bindjen e përbashkët për një të ardhme të formësuar nga siguria dhe mundësitë…
E kaluara jonë na ka afruar me kombe që ndajnë të njëjtën mënyrë të të menduarit, të njëjtat objektiva dhe parime. Kosova ka qenë vazhdimisht pranë Shteteve të Bashkuara, duke mbështetur prioritetet tona, duke dhënë kontribut në forcën ndërkombëtare të stabilizimit, në Bordin e Paqes, si dhe duke investuar në teknologji dhe arsim.
Në të njëjtën mënyrë, edhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës. Ne e mbështesim Kosovën në përpjekjet për ngritjen e institucioneve të forta demokratike. Ne jemi me Kosovën edhe në punën e saj për të ndërtuar një ekonomi të begatë që tërheq investime dhe zgjeron mundësitë për të gjithë qytetarët e vendit.
Gjithashtu, presim me kënaqësi që partneriteti ynë të forcohet më tej, përfshirë edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare që nxisin prosperitetin e përbashkët. Sepse një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë nuk i shërben vetëm popullit të saj, por është e dobishme edhe për Evropën dhe për botën.
Investimi juaj në programin Fulbright, përkushtimi ndaj inovacionit dhe roli juaj si eksportues i sigurisë dëshmojnë se Kosova nuk është thjesht një partnere, por edhe një lidere e ardhshme në rajon. Ndërsa Kosova vijon të përparojë dhe të thellojë integrimin në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim — sidomos në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji — janë të pakufizuara”, tha Prattipati.
Nga ana tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kujtoi se gjatë presidencës së Bill Clintonit, me Madeleine Albright në qendër të diplomacisë amerikane, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën ndërhyrjen e NATO-s, duke i dhënë peshë politike dhe diplomatike përpjekjes që ndali luftën dhe i hapi rrugë lirisë së Kosovës.
Haxhiu: Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare
“Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse ndryshoi rrjedhën e historisë sonë.
Nga ajo liri lindi Republika e Kosovës. Ajo mori trajtë përmes institucioneve, zgjedhjeve, gjykatave, forcave të sigurisë dhe rendit kushtetues që u takon të gjithë qytetarëve të saj.
250 vjet pas Pavarësisë së Amerikës, ne i nderojmë Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha, për idenë nga e cila nisën: që pushteti duhet t’i japë llogari popullit.
Për shqiptarët dhe për Republikën e Kosovës sot, kjo ide u bë e prekshme përmes historisë. Ajo u bë reale kur udhëheqja amerikane ndihmoi që e drejta për liri të shndërrohej nga një kërkesë në një të ardhme.
Sonte, urimet tona shoqërohen me mirënjohjen e një republike sovrane. Ne kujtojmë se mbështetja amerikane ndihmoi që liria jonë të bëhej e mundur, dhe e dimë se mënyra më e mirë për ta nderuar atë mbështetje është të ndërtojmë një shtet të denjë për të.
Nëpër breza, miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është forcuar përmes qytetarëve, institucioneve dhe punës së palodhshme për mbrojtjen e lirisë në jetën publike”, tha Haxhiu.
Me këtë rast, u bë edhe prezantimi zyrtar i SideRunner, një automjet tokësor pa pilot (UGV), i avancuar dhe me përdorim të dyfishtë, ndërsa u njoftua edhe nisja e prodhimit të tij në Kosovë.
SideRunner vjen si rezultat i një partneriteti strategjik mes Stridar Inc. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Stridar Kosovo LLC, duke ndërthurur inovacionin amerikan me kapacitetet inxhinierike dhe prodhuese të Kosovës.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kosova do të ketë rol qendror në prodhimin dhe eksportimin e platformës SideRunner për klientë në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Lindjen e Mesme dhe tregje të tjera ndërkombëtare.
