Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin në ditët e fundit ka sjellë shtim të ndjeshëm të rasteve që i drejtohen shërbimit mjekësor. Gjatë 24 orëve të fundit, në Urgjencën Polivalente të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë trajtuar më shumë se 400 pacientë.
Sipas mjekes së urgjencës, Albana Koçija, shqetësimet më të shpeshta me të cilat paraqiten qytetarët kanë të bëjnë kryesisht me sëmundjet kardiake, si edhe me intoksikacionet nga alkooli dhe ushqimi.
Të lidhura
None found
Mjekët nënvizojnë se temperaturat e larta mund të rëndojnë gjendjen e personave që vuajnë nga sëmundje kronike, ndaj u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve të nxehta.
Në kushtet kur temperaturat parashikohet të mbeten të larta edhe përgjatë muajve korrik dhe gusht, specialistët këshillojnë që të shmanget qëndrimi në diell në orët e pikut, të mbahet një hidratim i vazhdueshëm dhe të konsumohen ushqime të freskëta.
Apeli i mjekëve është i drejtuar në veçanti ndaj grupeve më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të kufizojnë daljet në orët kur temperaturat janë më të larta dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma shqetësuese.
