Kur i nxehti bëhet i padurueshëm, shumëkush mendon menjëherë se zgjidhja më e shpejtë është ndezja e ventilatorit.
Megjithatë, edhe pajisjet më të mira të këtij lloji kanë efekt vetëm deri në një kufi të caktuar. Përtej tij, ato jo vetëm që humbasin dobinë, por mund të kthehen edhe në rrezik, shkruan The Telegraph.
Të lidhura
None found
Kur ventilatorët kthehen në rrezik
Sipas Agjencisë së Shëndetit dhe Sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), “Ventilatorët mekanikë mund të përdoren për të rritur rrjedhën e ajrit nëse temperaturat janë nën 35°C. Mbi këtë temperaturë, ventilatorët mund të mos parandalojnë sëmundjet që lidhen me nxehtësinë dhe mund ta përkeqësojnë dehidratimin.”
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS), i cili thekson se “ventilatorët elektrikë mund të ndihmojnë nëse temperaturat janë nën 35 gradë.” Kur i nxehti është ekstrem, një ventilator elektrik mund vetëm të qarkullojë ajër të nxehtë në të gjithë dhomën, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë që Zyra Meteorologjike ka lëshuar paralajmërime të kuqe dhe portokalli për temperatura ekstreme, specialistët kanë dhënë udhëzime më të detajuara për mënyrat më të mira të ftohjes së shtëpisë.
Mbajeni vapën jashtë
Hapi i parë për të ruajtur freskinë është që ambienti i brendshëm të mos nxehet. Sophie Wells, zëdhënëse e Zyrës Meteorologjike, këshillon “mbylljen e të gjitha perdeve dhe grilave në dritaret që janë përballë diellit dhe mbajtjen e dyerve dhe dritareve të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës”.
Nëse grilat dhe dritaret qëndrojnë të mbyllura, hapësirat e brendshme kanë më shumë gjasa të mbeten më të freskëta se ambienti jashtë, pasi ajri i ngrohtë pengohet të hyjë dhe rrezet e diellit e kanë më të vështirë të ngrohin dhomat.
Pakësoni burimet e panevojshme të nxehtësisë
Gjatë orëve më të nxehta, nga 11:00 deri në 15:00, këshillohet të qëndroni në ambiente të mbyllura. UKHSA thekson: “Dritat elektrike duhet të mbahen në minimum dhe pajisjet nuk duhet të lihen në pritje pasi kjo gjithashtu krijon nxehtësi.” Nëse e keni të domosdoshme të dilni, mos harroni të vendosni krem kundër diellit, të mbani kapelë dhe të vishni rroba të lehta.
Hidratimi ndihmon edhe për një gjumë më të mirë
Një nga shqetësimet më të zakonshme gjatë vapës është vështirësia për të fjetur. Shkencëtarja e gjumit, Dr. Sophie Bostock, shpjegon se ulja e temperaturës së trupit gjatë natës e ndihmon organizmin të përgatitet për gjumë. Por ky ritëm prishet kur temperaturat kalojnë 25°C, duke e bërë fjetjen më të vështirë dhe pushimin më pak rigjenerues.
Përveç mbajtjes së dhomës së gjumit sa më të freskët, Dr. Bostock rekomandon edhe hidratim të vazhdueshëm gjatë ditës, pasi kjo ndihmon trupin të djersijë dhe të ftohet. Ajo shton se ngrënia rrit temperaturën e trupit, ndaj këshillohet që darka të konsumohet të paktën dy orë përpara gjumit.
NHS rekomandon: “Hani ushqime të ftohta dhe pini pije të ftohta rregullisht. Qëndroni të hidratuar, por shmangni alkoolin, kafeinën dhe pijet e nxehta. Bëni dush të ftohtë ose vendosni kompresa të ftohta në lëkurën ose rrobat tuaja.”
