Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me operacionin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimeve të dosjes AKSHI, ku me vendim të GJKKO, u vendos masa e pezullimit nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni dhe “arrest në shtëpi”.
Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se kjo është hera e parë në histori, që një shefe e shërbimit shtetëror informativ të vendoset në funksion të krimit, duke shtuar se Hyseni ka shkelur betimin dhe ligjin.
Të lidhura
None found
Sipas Berishës, ajo bëri një vizitë të fshehtë në Beograd sapo mori detyrën asokohe në vitin 2023 në krye të SHISH. Sipas kryedemokratit, ajo u shkarkua edhe nga posti që mbante në Agjencinë e Inteligjencës në Kosovë për shkak se dha të dhëna sekrete te armiqtë e Kosovës.
“Kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot, Prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e Shërbimit Informativ kombëtar, si bashkëpunëtore në krim, si një njeri që ka shkelur betimin, ligjin, dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka një nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky. Natyrisht SHISH është institucion i rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare Interesi ynë për këtë shërbim fillimisht pas largimit të detyruar gjoja për studime të ish shefit të shërbimit Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij famëziu, që me aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Koreja mund ta kishte një urdhër të tillë por ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente. Ky është denoncim në vitin 2022. Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën Vlora Hyseni është shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës. Emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë e bëri në Beograd, ku qëndroi mbi 10 ditë”, tha Berisha.
