Frikë nga kërcënimet e Hezbollahut, Izraeli evakuon qytetin afër kufirit me Libanin

Izraeli ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga Kiryat Shmona, një qytet në veri të vendit pranë kufirit me Libanin, ku situata ka qenë e tensionuar që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, njoftoi sot ushtria izraelite.

Autoritetet izraelite “njoftuan zbatimin e një plani për të zhvendosur banorët” e atij qyteti dhe transferimin e tyre “në strehimoret e financuara nga shteti”, tha ushtria.

Kiryat Shmona ka rreth 25,000 banorë dhe ndodhet rreth 2 kilometra larg gardhit kufitar me Libanin.

Dje, të enjten, ushtria izraelite njoftoi se një sulm me raketa është nisur nga territori libanez, të cilit iu përgjigj duke goditur “infrastrukturën e Hezbollahut”.

Ushtria izraelite kreu gjithashtu sulme ajrore kundër zonës nga ku ndodhi sulmi.

Që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, përleshjet në kufirin izraelito-libanez kanë vrarë rreth 20 njerëz në anën libaneze, kryesisht luftëtarë, por edhe një gazetar të Reuters dhe dy civilë. Nga ana izraelite, të paktën tre persona kanë humbur jetën.

Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për mundësinë e përhapjes së konfliktit, me përfshirjen e lëvizjes shiite libaneze Hezbollah, e cila mbështetet nga Irani.

“Ne jemi në gjendje gatishmërie dhe vigjilence në veri. Nëse Hezbollahu bën një gabim serioz, ne do të përgjigjemi me forcë të veçantë”, paralajmëroi të martën Daniel Haggari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite./Albeu.com


Shtuar 20.10.2023 09:38