Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti vazhdon ta ketë në agjendë mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe themelimin e Fondit Sovran. Megjithatë, kjo nismë ende nuk ka kaluar pengesat juridike dhe shoqërohet me pasiguri rreth zbatimit të saj praktik.
Gjatë një takimi të mbajtur ditë më parë, kryeministri Kurti ia ka përsëritur këtë qëndrim edhe drejtorit të AKP-së, Hekuran Nikqi.
Të lidhura
None found
Kurti ka thënë se ligji për Fondin Sovran nuk mund të hyjë në fuqi për shkak se Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar. Ligji është dërguar për shqyrtim kushtetues nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Avokati Faton Fetahu, i cili përfaqëson ligjërisht këto dy subjekte politike, pretendon se përmbajtja e ligjit bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Në thelb, është çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe e përcaktimit të rregullave mbi të cilat duhet të funksionojë ekonomia e Kosovës. Në kërkesën tonë kemi argumentuar se 11 nene të këtij ligji janë në kundërshtim me së paku shtatë nene të Kushtetutës. Këto pretendime i kemi mbështetur në argumente konkrete juridike dhe ekonomike, të cilat presim që Gjykata t’i shqyrtojë në tërësi”, ka deklaruar Fetahu.
Ai e ka konsideruar shqetësuese kohën e gjatë të pritjes për një vendim, pasi kanë kaluar gati tre vjet prej momentit kur çështja është paraqitur.
“E kuptojmë se Gjykata Kushtetuese ka pavarësinë e saj në përcaktimin e ritmit të shqyrtimit të lëndëve, por rëndësia e kësaj çështjeje kërkon që vendimi të merret pa vonesa të mëtejshme”, ka theksuar Fetahu.
Televizioni Tëvë1 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pyetje lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.
Dyshime nga ekonomistët dhe biznesi për realizimin e projektit
Përveç kontestit kushtetues, e diskutueshme mbetet edhe mundësia e shuarjes së AKP-së, si dhe ndikimi që Fondi Sovran do të mund të kishte në administrimin e ndërmarrjeve publike.
Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se Qeveria nuk mund ta mbyllë AKP-në në mënyrë të njëanshme. Sipas tij, Fondi Sovran ka qenë një objektiv i Kurtit që prej fillimit të qeverisjes, por ai nuk beson se kjo nismë do të zbatohet.
“AKP-në nuk është në gjendje Qeveria ta shuajë. Krijimi i këtij Fondi është që nga fillimi i qeverisjes së z. Kurtit, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk besoj që do të ndodhë. Është një premtim dhe një dëshirë e tij, por në aspektin praktik nuk mendoj që do të realizohet. Edhe nëse realizohet, vetëm do ta komplikojë vendimmarrjen dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe proceset në ekonomi. Është një hap drejt burokracisë më të lartë”, është shprehur Qerimi.
Kundër realizimit të këtij synimi është skeptik edhe Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Ai përmend lidhjet juridike dhe problemet ende të pazgjidhura që, sipas tij, e vështirësojnë mbylljen e Agjencisë.
“Unë dyshoj shumë që AKP-ja mund të shuhet, sepse ka një ndërlidhje me Rezolutën 1244 dhe, derisa ajo është në fuqi, është mjaft problematike. Edhe AKP-ja duhet të funksionojë për shkak të borxheve të vjetra”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka ngritur pikëpyetje edhe për funksionimin e Fondit Sovran në rrethanat aktuale, duke vënë në dyshim nëse krijimi i tij do të përmirësonte administrimin e ndërmarrjeve publike.
Sipas tij, këto ndërmarrje vazhdojnë të kenë vështirësi në menaxhim, ndërsa qeveritë e pasluftës nuk kanë arritur të ndërtojnë një zgjidhje të qëndrueshme për funksionimin e tyre.
Ndërmarrjet që do të kalonin nën Fondin Sovran
Fondi Sovran është paraparë si një strukturë me funksion investues dhe zhvillimor, e cila do të merrte në menaxhim ndërmarrjet publike komerciale. Në këtë listë përfshihen Trepça, KEK-u, Posta, Telekomi, Infrakosi dhe Trainkosi.
Projekti parashikon gjithashtu që në të të përfshihen asetet me potencial zhvillimor që aktualisht janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin përfundimtar, mbetet e pasigurt si fati i ligjit, ashtu edhe ecuria e projektit për Fondin Sovran. Kundërshtimet juridike dhe dyshimet e ekspertëve lënë të hapur mundësinë nëse premtimi i Qeverisë Kurti do të realizohet apo jo.






