Një vatër e fuqishme zjarri shpërtheu sot gjatë orëve të mesditës në afërsi të fshatit Hekal, konkretisht në zonën e njohur si “Qafa e Vidhit”.
Të shtyra nga erërat e forta, flakët u zgjeruan në mënyrë të shpejtë, duke karbonizuar një territor që kapërcen 10 hektarë, kryesisht i mbjellë me ullinj dhe bimësi të ulët.
Të lidhura
None found
Sapo u dha alarmi, në terren u dislokuan gjashtë automjete zjarrfikëse nga njësitë e Ballshit, Patosit, Roskovecit dhe Albpetrolit, të cilat u angazhuan menjëherë për rrethimin dhe shuarjen e vatrave.
Fronti i zjarrit arriti deri në një distancë prej rreth 100 metrash nga shtëpitë dhe puset e nxjerrjes së naftës, por falë reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, u evitën pasojat më të rënda. Asnjë ndërtesë banimi apo instalim i sektorit hidrokarbur nuk pësoi dëmtime nga incidenti.
Autoritetet përgjegjëse po vazhdojnë mbikëqyrjen e zonës për të evituar çdo mundësi për rindezje të mundshme të flakëve.
