Financimi rus për PD, zëdhënësja e Berishës: Të rihapet çështja

Financimi rus 500 mijë dollarë për Partinë Demokratike, ka ringjallur debatet e vjetra brenda kësaj partie.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo është shprehur sot se financimi rus 500 mijë dollarë ishte i ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017.

Sipas Garos, PD kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar.

Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka mohuar së forca politike të cilën ai drejtonte në 2017 të ketë marrë financime të huaja me burime ruse. Reagimi i ish-krydemokratit erdhi pas publikimit të një raporti sekret amerikan, ku një zyrtar përmendte se PD ka përfituar rreth 500 mijë dollarë financim nga Rusia.

Sipas Bashës, PD i ka kërkuar hetim drejtësisë, pas këtyre akuzave të cilat janë bërë publike disa vite më parë, por drejtësia hodhi poshtë pretendimet për financimet e huaja. Basha ripërsërit se PD është krenare për partneritetin e palëkundur me aleatin strategjik, SHBA-në dhe janë të vendosur për të ecur përpara krah të aleatëve euro-atlantikë.

Deklaratë e Partisë Demokratike, zëdhënësja Floriana Garo:

Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për inflitrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike bën me dije se:

Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarsim në NATO dhe Komunitetin Europian.

Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar perdorimin e kesaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.

PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë.

Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.

Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet.

Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës.

Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.

Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.

Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, ne kundershtim te hapur me ligjin i dosjes në Gjykatën e Lartë.

Partia Demokratike kërkon transparence dhe nje proces të qartë publik. Ajo eshte e gatshme të bashkepunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë.

Shtuar 14.09.2022 12:25