Filipçe trego numrin, ja sa qytetarë janë vaksinuar deri më tani (VIDEO)

Imunizimi masiv në Maqedoninë e Veriut sot  vazhdon me të punësuarit mediatik, ndërsa, nga e mërkura vaksinimi në të gjithë shtetin do të vazhdojë me kategoritë e mbetura të  të moshuarve, duke vijuar me ato të infrastrukturës kritike. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipe, njoftoi  se të gjithë ata që kanë qenë të rrezikuar nga Kovid-19, në disa institucione të larta shtetërore tani më janë vaksinuar, ndërsa, u bëri apel pjesës të mbetur të qytetarëve të kenë durim deri në arritjen e vaksinave tjera. Filipçe tha se deri më tani janë imunizuar 25 mijë qytetarë.

Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë 

“Janë vaksinuar të gjithë ato që kanë qenë në rrezik më të madh, që praktikisht e kanë menaxhuar krizën që nga fillimi i pandemisë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ushtria, më pas të punësuarit nëpër shkolla, mësimdhënësit nga klasa e parë deri në të tretën, dhe punonjësit nëpër çerdhe”

Kreu i shëndetësisë tha se në qeveri kanë dërguar propozim për ndryshimin e ligjit për mbrojtje shëndetësore, ku është paraparë kufizimi i pagesës së mjeteve financiare për pacientët të cilët mjekohen nga koronavirusi, shkruan Shenjatv.

Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë 

“Sot në takimin kryesor kordinativ të  shtabit të krizës u diskutuan më tepër gjëra. U soll vendimi që të bëhet ndryshim në ligjin për mbrojtje shëndetësore me të cilin në spitalet private do të bëhet kufizimi i pagesës së mjeteve financiare për sa kohë do të zgjasë kriza, më saktësisht mjekimi nga koronavirusi. E dëgjuam apelin e qytetarëve dhe tani më nesër në qeveri do ta dorëzojmë propozim ligjin për mbrojtje shëndetësore”

Ndërkaq, dy mijë vaksina pritet të arrijnë gjatë ditës së sotshme si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat do të vaksinohen grupet që do ta kenë radhën sipas planist strategjik për imunizim. Procesi i imunizimit kundër koronavirusit në vendin tonë  filloi nga 17 shkurti  me punonjësit  shëndetësorë, ndërsa imunizimi masiv nisi para një jave.

Shtuar 12.04.2021 05:04