Kritikohet përfshirja e Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri, konsiderohet si shmangie prej problemeve në Kosovë

Përfshirja e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri po kritikohet nga partitë opozitare dhe analistët politikë në Kosovë. Fushata pro tre kandidatëve të pavarur në Shqipëri po shihet si shmangie prej problemeve në vend.

 

Opozitarët i kërkojnë Kurtit të tërhiqet nga kjo fushatë zgjedhore, ndërkohë, njohësit politikë thonë se është problematike fushata në Shqipëri,  kur në Kosovë ka pritje të mëdha për ndryshime. Lidhur me këto kritika, KosovaPress ka pyetur në ekzekutiv, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Analisti politik Blerim Burjani thotë për KosovaPress, se kryeministri Kurti me përfshirjen në zgjedhjet e Shqipërisë po mendon më shumë për zhvillimin e partisë së tij, se për qytetarët.

“Shmangia prej temave të Kosovës dhe shkuarja në Shqipëri është më tepër aventurë, vullneti dhe ide e tij se si mu zhvillu Lëvizja Vetëvendosje dhe ai si personalitet. Ai më shumë po mendon për vetën se sa për popullin. Ai më shumë po mendon për me u shtri mendimi i tij politikë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Prandaj ky është një problem i madh prej tij”, thotë ai.

Megjithëse e konsideron të pritshëm përfshirjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri, njohësi politik, Rasim Alija thotë se rrethanat në të cilat gjendet Kosova me pandeminë Covid-19 dhe nevojën për ndryshim i japin të drejtë opozitës për kritika.

“Ajo çka paraqet problem është fakti ku gjendet Kosova tani. Një Kosovë ku ka mungesë të vaksinave dhe një Kosovë në fillim të qeverisjes dhe pritje për ndryshim të madh. Mbi këtë bazë edhe kritika e opinionit publik edhe opozitës shkon më të drejtë karshi zotit Kurti… Ka qenë të pritshme, ka qenë i pritshëm një vendim i tillë i kryeministrit Kurti, por edhe vet Lëvizjes Vetëvendosje sepse tash e tri vite po thuajse LVV ka një subjekt politik të regjistruar në shtetin e Shqipërisë dhe ka qenë e pritshme që në zgjedhjet e tilla t’i bëjë një kashillëk politik Edi Ramës. Ka qenë e pritshme edhe përfshirja gjysmë aktive e deputetëve të Kosovës dhe LVV në zgjedhjet në Shqipëri”, thotë ai.

Tërheqje nga kjo fushatë në Shqipëri, Kurtit sot i kërkoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. I pyetur nga KosovaPress, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kryeministri Kurti me papërgjegjësinë e tij po dëmton raportet ndërmjet dy vendeve.

“Ne sot e kemi një kryeministër mjaft të papërgjegjshëm që e udhëheq Republikën e Kosovës dhe po e dëmton edhe raportet në mes të dyja vendeve që nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe ne po i bëjmë thirrje që të tërhiqet nga kjo fushatë zgjedhore në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Gjatë ditës kritika Kurtit i adresoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se kryeministri po braktisë njerëzit e vet me pjesëmarrjen në fushatën zgjedhore për zgjedhjet në Shqipëri.

Si kandidatë të pavarur, por me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, Kreshnik Merxhani dhe Ilaz Shehu po synojnë të sigurojnë një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë.


Shtuar 12.04.2021 17:17