Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen ku mbeti i plagosur efektivi i policisë, i identifikuar si Anxhelo Kumaraku 30 vjeç. Raportohet se efektivi ndodhej pranë banesës së tij, i shoqëruar nga një komshi, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Sipas dyshimeve paraprake, objektiv i atentatit ka qenë pikërisht komshiu i efektivit, ndërsa ngjarja dyshohet të lidhet me prishje të pazareve të drogës me persona të tjerë.
Të lidhura
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu arsyen pse efektivi i policisë ishte në shoqërinë e personit që ndodhej në arrest shtëpie dhe që, në momentin e ngjarjes, kishte thyer vendimin e gjykatës.
Ndërkohë, mësohet se i plagosuri Anxhelo Kumaraku nuk kishte njoftuar autoritetet për shkeljen e masës së sigurisë nga ana e komshiut të tij.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të atentatit.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30-vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

