EMRI/ U shiste armë vëllezërve Beqiraj për të kryer krime, arrestohet në Durrës 32-vjeçari

Policia e Durrësit ka arrestuar 32-vjeçarin, Zenando Mamaqi, pasi akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Arrestimi i tij është bërë në kuadër të operacioni “Porositësi” dhe kështu ka shkuar në 15 numri i personave të vënë në pranga, pasi vëllezërit Beqiraj zbërthyen disa ngjarje të rënda kriminale.

Burime bëjnë me dije se Mamaqi u ka shitur armë vëllezërve Beqiraj, me të cilat ata kryenin krime.

32-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë. Hera e fundit që është arrestuar është kur përplasi me makinë policin, Arben Luci, ku ai i ngriti tabelën. Gjithashtu ai është arrestuar dhe shumë vite më parë për tentative vrasjeje nda Besard Ismailaj.

Njoftimi:

Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Porositësi”, shkon në 15 numri i të arrestuarve në kuadër të tij.

Vihet në pranga 1 shtetas, i dyshuar i përshirë në veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit “Porositësi”, mbështetur me inteligjencë operative, bënë të mundur ndalimin e shtetasit:

-Z. M., 32 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore rezulton se 32-vjeçari është autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

Operacioni policor “Porositësi” u finalizua nga DVP Durrës, më 4 tetor 2022 dhe rezultoi me zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, vënien në pranga të 14 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve. DVP Durrës vijon intensivisht punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni./albeu.com