Megjithëse treguesit e cilësisë së ajrit në Shqipëri janë përmirësuar në krahasim me vitet e mëparshme, ndotja vazhdon të jetë shqetësuese, sidomos në qendrat urbane dhe zonat industriale. Të dhënat e vitit 2025 e pozicionojnë Elbasanin dhe Tiranën ndër qytetet me përqendrimet më të larta të ndotësve. Në Elbasan, nivelet e dioksidit të azotit kanë kaluar kufijtë e lejuar, ndërsa grimcat PM10 mbeten mbi standardet e rekomanduara.
Ambientalisti Ahmet Mehmeti vlerëson se situata në Elbasan është përmirësuar ndjeshëm në raport me të kaluarën, kur ndotja, veçanërisht gjatë muajve të verës, arrinte nivele shumë më të larta.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në këtë periudhë të vitit ndotja dikur ishte deri në 10-fish më e lartë, ndërsa aktualisht është 10-fish më e ulët. Mehmeti e konsideron këtë ndryshim një përparim të rëndësishëm, veçanërisht për cilësinë e ajrit.
Pavarësisht përmirësimit, burimet kryesore të ndotjes mbeten trafiku dhe veprimtaria industriale. Ambientalisti thekson se kontrolli i vazhdueshëm i ndotësve dhe zbatimi pa përjashtim i ligjit janë të domosdoshme për rezultate më të mira.
Mehmeti nënvizon se, krahas problemeve që lidhen me ujin dhe tokën, ndotësit PM2.5, PM10 dhe NO₂ vijojnë të përbëjnë një shqetësim të shmangshëm. Sipas tij, institucionet që monitorojnë dhe zbatojnë ligjin duhet të ndërhyjnë ndaj burimeve ndotëse, veçanërisht industrisë, përmes kontrolleve dhe sanksioneve.
Ekspozimi i gjatë ndaj PM10 dhe dioksidit të azotit, paralajmëron ai, mund të dëmtojë shëndetin e njerëzve, duke prekur rrugët e frymëmarrjes dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, si dhe duke rritur rrezikun për sëmundje të rënda.
Grimcat PM10 dhe NO₂ lidhen me sëmundje të aparatit të frymëmarrjes dhe të gjakut. Në rastet e ekspozimit të zgjatur, ato mund të kontribuojnë edhe në shfaqjen e sëmundjeve kanceroze, pasi përmbajnë metale të rënda si kromi, nikeli, plumbi dhe kadmiumi. Këta ndotës mund të përfundojnë gjithashtu në ujëra dhe në zinxhirin ushqimor.
Specialistët vlerësojnë se afrimi i Shqipërisë me standardet europiane të cilësisë së ajrit kërkon zbatim të rreptë të normave mjedisore, monitorim të pandërprerë dhe masa konkrete ndaj burimeve që shkaktojnë ndotjen.
