Ekzekutoi me kallashnikov mes Vlorës Tauland Manajn, merret vendimi për autorin e vetëdorëzuar

Gjykata e Vlorës ka lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për të dyshuarin kryesor si autor I vrasjes së Tauland Manaj (Beqiraj), shtetasin Skerdian Grabani.

Grabani është vetëdorëzuar në polici pak ditë pas vrasjes së Manajt, ngjarje e cila ndodhi më 3 mars të këtij viti në Vlorë.

Tauland Beqiraj u ekzekutua më 3 mars  në mes të qytetit të Vlorës me breshëri kallashnikovi.

Viktima Tauland Beqiraj, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Gjikaj apo Manaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ishte arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Tauland Manaj u kap nga policia e Vlorës në vitin 2018 duke udhëtuar në makinë i armatosur edhe pse ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi u përfshi në një përplasje mes bandave në Vlorë.

Në makinë, Manajt iu gjet një armë tip pistoletë luftarake “Baretta”, kalibër 9mm, lëndë narkotike 0.688 gram kanabis, karikator me fishekë dhe 1250 euro.

Ai u lirua në vitin 2018 nga tre gjyqtarët, Nazmi Troka, Klodiana Gjyzari dhe Hysen Saliko me kryesues këtë të fundit, duke  i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.

Tauland Beqiraj u arrestua nga policia për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 22.05.2021 13:06