Mbi një në katër shqiptarë të moshës 16,vjeç e lart, thonë se hasin vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një aktivitet themelor të jetës së përditshme.
Ecja dhe shikimi janë vështirësitë që përmenden më shpesh. Ndonëse treguesi i përgjithshëm i Shqipërisë është më i ulët se mesatarja europiane, në disa fusha — ecje, dëgjim, komunikim dhe kujdes për veten — vendi shënon përqindje mbi nivelin e BE-së.
Të lidhura
None found
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2022, 28.4% e shqiptarëve 16 vjeç e lart raportuan vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një prej gjashtë aktiviteteve të vlerësuara: shikim, dëgjim, ecje, kujtesë ose përqendrim, komunikim dhe kujdes për veten.
Për Bashkimin Europian, mesatarja në të njëjtin vit ishte 37.4%. Sipas Eurostat, të paktën një vështirësi të tillë e raportonte më shumë se një e treta e europianëve të kësaj grupmoshe.
Në renditjen europiane, Shqipëria është e teta nga fundi për nivelin e vështirësive. Përqindjet më të ulëta raportohen në Serbi (19.2%), Mal të Zi (20%) dhe Itali (23%).
Në krahun tjetër, treguesit më të lartë janë shënuar në vendet nordike: Norvegji (62.4%), Danimarkë (60.1%) dhe Finlandë (54%). Në këto vende raportohen veçanërisht shpesh probleme me kujtesën dhe përqendrimin.
Vështirësitë më të raportuara nga shqiptarët
Ecja zë vendin e parë në Shqipëri, me 19.4% të personave që raportojnë vështirësi në këtë aktivitet. Shikimi vjen menjëherë pas saj, me 19.3%.
Vështirësi në dëgjim raportojnë 13.2% e personave, ndërsa 11.1% përmendin kujtesën ose përqendrimin. Për kujdesin ndaj vetes shifra është 8.5%, kurse për komunikimin՝ 7.3%.
Renditja është kryesisht e ngjashme në BE, por shikimi zë atje vendin e parë: në vitin 2022, 20.3% e banorëve raportuan këtë problem, ndërsa vështirësitë në ecje prekën rreth 18%.
Eurostat vëren se shikimi dhe ecja janë përgjithësisht vështirësitë më të përhapura në Europë. Ndërsa problemet me komunikimin dhe kujdesin për veten raportohen më rrallë.
Megjithatë, në katër prej gjashtë kategorive, përqindjet në Shqipëri janë më të larta se mesatarja e BE-së.
Vështirësi në ecje raportojnë 19.4% e shqiptarëve, krahasuar me 18.3% në BE; në dëgjim, përkatësisht 13.2% dhe 11.9%; ndërsa për kujdesin ndaj vetes, 8.5% dhe 6.6%. Hendeku më i madh është në komunikim: 7.3% në Shqipëri kundrejt 4.7% në BE.
Për shikimin, Shqipëria është pak nën mesataren europiane, me 19.3% përkundrejt 20.3%. Diferenca është edhe më e dukshme për kujtesën dhe përqendrimin: 11.1% në Shqipëri, ndërsa në BE 15.2%.
Pas Maqedonisë së Veriut në Ballkanin Perëndimor
Në krahasimin për vitin 2022 mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut kryesonte me 34.8% të popullsisë 16 vjeç e lart që raportonte të paktën një vështirësi të moderuar ose të rëndë.
Shqipëria renditej e dyta, me 28.4%. Pas saj vinin Bosnjë-Hercegovina me 24%, Serbia me 21.9% dhe Mali i Zi me 20%.
Maqedonia e Veriut kishte shifrat më të larta rajonale në pothuajse të gjitha kategoritë: 26.6% për shikimin, 22.1% për ecjen dhe 14% për dëgjimin. Në këto fusha, Shqipëria zinte vendin e dytë.
Komunikimi përbën përjashtim. Vështirësi të moderuara ose të rënda në këtë aspekt raportoheshin nga 7.3% e shqiptarëve, përqindja më e lartë në rajon. Maqedonia e Veriut shënonte 6.2%, Serbia 3.6%, Bosnjë-Hercegovina 3.4% dhe Mali i Zi 2.1%.
Për kujdesin ndaj vetes, Shqipëria regjistronte gjithashtu një nivel relativisht të lartë, 8.5%, duke u renditur pas Maqedonisë së Veriut, me 9.2%.
Shpesh raportohen disa vështirësi njëherësh
Një person mund të ketë vështirësi në më shumë se një aktivitet. Në Shqipëri, përqindjet e gjashtë kategorive, të mbledhura së bashku, arrijnë rreth 79%, ndërkohë që 28.4% e personave raportojnë të paktën një vështirësi.
Një përllogaritje e thjeshtë e këtyre treguesve sugjeron se shqiptarët që raportojnë së paku një kufizim përballen mesatarisht me rreth 2.8 lloje vështirësish. Në BE, për personat me të paktën një kufizim, mesatarja e llogaritur nga Eurostat ishte rreth 2.1 në vitin 2022.
Të ardhurat dhe rreziku i varfërisë në Europë
Raporti më i fundit i Eurostat mbi kushtet e jetesës në Europë vëren një lidhje të fortë mes gjendjes ekonomike dhe raportimit të këtyre vështirësive.
Në vitin 2025, njerëzit në rrezik varfërie raportonin më shpesh vështirësi në secilin prej gjashtë aktiviteteve, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Hendeku më i madh ishte për ecjen: probleme të moderuara ose të rënda përmendnin 24.9% e personave në rrezik varfërie, kundrejt 16.9% të atyre jashtë këtij rreziku — një diferencë prej 8 pikësh përqindjeje.
Dallimi mes dy grupeve arrinte në 6 pikë përqindjeje për kujtesën dhe përqendrimin, 4.9 pikë për shikimin, 4.3 pikë për kujdesin ndaj vetes, 3.5 pikë për komunikimin dhe 1.8 pikë për dëgjimin.
Mosha ndikon gjithashtu në rezultatet e raportuara. Në BE, në vitin 2022, vështirësi të rënda në aktivitetet bazë shënonin 3.4% e personave 16-44 vjeç. Për grupmoshën 65 vjeç e lart, kjo përqindje ishte 22.7%.
Të dhënat janë mbledhur përmes anketës EU-SILC dhe bazohen në metodologjinë e Washington Group on Disability Statistics. Ato pasqyrojnë vështirësi të raportuara nga vetë personat, jo diagnoza mjekësore. Në analizë përfshihen banorët 16 vjeç e lart që jetojnë në familje private; personat në institucione nuk bëjnë pjesë në popullatën e referencës.
