Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se vetë presidenti rus, Vladimir Putin, është faktori që po pengon përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zelensky e nisi fjalimin e tij duke iu referuar humbjeve të ushtrisë ruse, por më pas e përqendroi kritikën e tij te lideri rus.
Të lidhura
None found
Duke folur për Putinin, presidenti ukrainas tha se “diçka e pengon gjithmonë të pranojë se 17 milionë kilometra katrorë të territorit të tij, të njohura ndërkombëtarisht nga të gjithë ju, duhet të jenë të mjaftueshme për këtë njeri”.
Ai theksoi gjithashtu se “Putini gjithmonë kërkon dikë që mund ta ndihmojë të vrasë më shumë njerëz, të pushtojë më shumë territore”.
“Sa më shumë liri të ketë Putini për të vepruar, aq më i rrezikshëm bëhet bota për të gjithë të tjerët. Prandaj, ‘pacienti zero’ duhet të ndalet. Atij duhet t’i hiqet hapësira për të vepruar dhe hapësira për ta përhapur këtë të keqe”, deklaroi Zelensky.
Sipas tij, nga janari deri në gusht, ushtria ruse ka humbur 248.964 persona në fushëbetejën në Ukrainë.
“Ne kemi video që konfirmojnë secilën prej humbjeve ruse dhe këto nuk janë thjesht statistika”, tha lideri ukrainas, duke shtuar: “Është çmenduri, e megjithatë ata vazhdojnë të shkojnë atje për të vdekur, sepse kështu dëshiron Putini”.
Zelensky tha se, pavarësisht humbjes së një numri kaq të madh njerëzish, Rusia ka arritur këtë vit të pushtojë pak më shumë se 1 mijë kilometra katrorë të territorit ukrainas.
“Dhe ne tashmë kemi çliruar një pjesë të konsiderueshme të tij”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas iu referua edhe ndihmës së Koresë së Veriut për Rusinë.
“Partneri i Putinit, lideri i Koresë së Veriut, dërgoi trupat e tij në Rusi për të forcuar pikat e dobëta të ushtrisë ruse. Edhe koreano-veriorët pësuan humbje. Ndoshta e patë transmetimin nga Pheniani, kur nderuan ata që humbën jetën. Dhe kjo është çmenduri”, tha Zelensky.
Duke folur për presidentin rus, Zelensky deklaroi se Putin kohët e fundit u ka premtuar sërish përfaqësuesve të presidentit amerikan se do të pushtojë rajonin e Donetskut dhe se i nevojiten edhe disa muaj.
“Kjo është ndoshta hera e 17-të ose e 18-të në pesë vjet që jep këtë premtim”, tha ai.
Zelensky vijoi duke deklaruar se Rusia ka pretendime edhe ndaj Moldavisë fqinje, ndërsa sipas tij, kërcënon vazhdimisht Poloninë dhe vendet baltike.
“Rusia nuk tregon asnjë respekt për shtetësinë e vendeve të Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore. Dhe, fatkeqësisht, njerëzit në Siri dhe në të gjithë Afrikën e dinë shumë mirë se çfarë lloj vrasësish janë rusët”, përfundoi presidenti ukrainas.
