Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shprehur kritika më të forta ndaj veprimeve ushtarake izraelite në Gaza. Ajo tha se përgjigjja ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor ka dalë përtej kufijve të proporcionalitetit dhe ka kapërcyer “vijën e kuqe”.
Meloni pranoi se ishte e nevojshme të luftohej terrorizmi pas sulmit të Hamasit, por vlerësoi se operacioni izraelit ka shkelur të drejtën humanitare dhe ka sjellë një “masakër civilësh”.
Të lidhura
None found
Ajo njoftoi gjithashtu se Italia do të përkrahë sanksionet e mundshme të Bashkimit Evropian ndaj Izraelit, në një ndryshim të dukshëm të qëndrimit të qeverisë në Romë.
Megjithatë, kryeministrja theksoi se Izraeli nuk mund ta bllokojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Pas sulmit të 7 tetorit, Italia kishte mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Por, ndërsa kriza humanitare në Gaza është përkeqësuar, qëndrimi i Romës është bërë më kritik. Më herët, Italia ka mbështetur sanksione evropiane kundër kolonëve izraelitë të dhunshëm në Bregun Perëndimor, si dhe kundër ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir.
Meloni i bëri këto deklarata teksa disa vende të Evropës kanë ndërmarrë hapa kundër politikave të Izraelit. Në shtator, 11 vende evropiane dhe Kanadaja vendosën masa ndëshkuese ndaj mallrave që vijnë nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, BE-ja po vijon të shqyrtojë raportet me Izraelin, përfshirë edhe përmbushjen e detyrimeve për të drejtat e njeriut sipas Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
