Lirohet nga burgu Saimir Tahiri

Ish-ministri, Saimir Tahiri, ka lënë qelinë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit, Tahiri do të vazhdojë pjesën e mbetur të dënimit në masën “arrest shtëpie”. Vendimi për lirimin e Tahirit u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu.

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.

Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Sipas Apelit të GJKKO Tahiri rezulton se ka pasur lidhje me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.

Ndërkohë, 2 prej 3 gjyqtarëve të Apelit të GJKKO që kanë dënuar Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg ishin në konflikt interesi.

Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi “betejën” e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster.

Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj , të afërm të Tahirit.
/albeu.com/