“S’i mbyll sytë para kriminelëve në Veri”, Kurti publikon emrat e organizatorëve kryesorë të trazirave në veri të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti sot është duke raportuar në Kuvend për ngjarjet në veri të Kosovës.

Ai tha se protestat atje nuk po vijë nga vullneti i popullit serb, por nga Beogradi zyrtar. Kurti ka publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit

“Nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Ne jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë janë pjesë e grupeve të tilla, por fatkeqësisht shumë qytetarë serbë për shkak të presionit e kërcënimit nga Beogradi zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulme të grupe të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori: e para – kriminelët e mbrojtjes civile – këta janë pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste që e admiron Millosheviqin e Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme. E dyta: Nga administrata publike, që po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë.E treta: Janë kompanitë e Radojiçiqave dhe Veselenoviqave që iu japin pushim punëtorëve me kusht që të shkojnë në protestë të dhunshme. Ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ia shkruajnë ditë pushimi. Protestat vijnë prej poshtë, këto janë protesta prej lart. Këto s’janë protesta. S’është vullnet i popullit, por direktivë e Beogradit. Më vjen keq për ata që detyrohen, sepse janë ma të pa lirë. Atij i mungon më së shumti liria, por jo për shkak të Prishtinës, por të Beogradit”, tha Kurti.

Ai tha se një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën.

“Kemi pamje të mjaftueshme që eskalimi ishte i planifikuar, i mirorganizuar dhe kishte autor – Beogradin zyrtar”.

Kurti tha se zgjedhjet duhet të mbaheshin meqë një herë u shtynë dhe “sërish s’mund të shtyheshin.

“U bëra thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje. [Emisari amerikan] Escobar deklaroi se SHBA do t’i njohin rezultatet. Qeveria e Kosovës e ka obligim kushtetues”.

Ai tha se policia ishte e nevojshme kur kryetarët e komunave do t’ia nisnin punën në objektet komunale.

“Kam vlerësuar drejt dhe në ditët në vijim u dëshmua që kam vlerësuar drejt. Përndryshe, mos të ishte ashtu do të kishim kryetarë të komunave që do të goditeshin nga ato banda. Të shumtë janë ata që praninë e forcave të policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesë të vet, as kryetari i komunës. Është zyra e tij. S’ka pasë asnjë arsye që të hyhet me forcë, përveç atyre që e shohin fotografinë në sekondën kur hyn kryetari”.

Kurti tha se ndërtesa ishte e zbrazët kur kanë hyrë kryetarët e komunave.

“Lista Serbe i ka braktisur institucionet në veri dhe Parlamentin këtu, përveë kur duhet me ardhë këtu për t’u nënshkruar për me marrë pagën. Kur kanë hyrë kryetarët e komunave kanë qenë të zbrazëta, por të blinduara. Ata e dinë që ndërtesat nuk janë të tyre, por të Republikës. Ata s’po i duan ndërtesat, ata po duan që edhe ne të mos i duam. Kam pasë hall që kur vjen puna me hy kryetari çka do të bëjnë serbët që janë në ndërtesë. Strukturat paralele nuk i duan as ndërtesat zyrtare. Kemi nevojë për korridor për qasje. Duam të punojmë dhe të funksionojmë. Policia e Kosovës këtë aset e merr nën kontroll. Një aset të braktisur prej atyre që shtiren se zgjedhjet ishin ilegale apo jolegjitime”.

Kurti tha se duhej të mbështeteshin kryetarët e rinj të punojnë në vende të tyre të punës.

Ai gjithashtu tha se ka pasë jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.


Shtuar 2.06.2023 11:32