Durrës/ 32 familje pa ujë dhe drita, por faturat i kanë paguar

Ditën e sotme, afërsisht 32 familje të një pallati në lagjen numër 6 të Durrësit, të rikonstruktuar pas tërmetit të 4 viteve më parë, kanë protestuar përpara bashkisë.

Sipas qytetarëve, megjithëse kanë marrë në dorëzim çelësat e apartamenteve nuk mund të rikthehen në banesa, pasi mungon furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Pavarësisht se nuk po gjejnë zgjidhje për problematikën, çudia qëndron në faktin se kanë paguar faturat edhe kur pallati ishte i pabanueshëm pas dëmeve të pësuara nga tërmeti.

Në këto kushte, banorët e cilësojnë gjithçka si shoë dhe propogandë, pasi realisht ata vazhdojnë të jetojnë me qira.

Ndërkohë këto familje, prej rreth një viti nuk kanë marrë as bonusin e qirasë.

Problemet e tyre duket se nuk kanë marrë zgjidhje, pavarësisht se i janë drejtuar institucioneve në vijimësi.

Nga ana tjetër, bashkia e Durrësit, thotë se ky pallat është kolauduar dhe problematika do të marrë zgjidhje së shpejti.

Ndërkaq, kërkesa e këtyre 32 familjeve të banesës kolektive nr.30, në rrugën “Hysen Myshketa”, është të kenë mundësi të rikthehen sa më shpejt në banesa dhe ta festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre.


Shtuar 18.12.2023 14:07