Drejtuan mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje, arrestohen 3 shoferë në Berat

Policia e Beratit ka arrestuar 3 shoferë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Njoftimi i policisë:

Berat

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • F. M., 26 vjeç, banues në Poliçan dhe L. B., 24 vjeç, Kuçovë, pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet përkatëse pa leje drejtimi;
  • S. F., 42 vjeç, banues në Kuçovë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

—–

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik kanë proceduar penalisht, për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin B. L., 46 vjeç, banues në Berat, pasi u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Xhenio”, me një mjet tip kamion të ngarkuar me pllaka guri dekorativ të pa shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, ky shtetas kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një punonjës.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme./albeu.com

Shtuar 14.05.2021 09:31