Çuçi “harron” kaosin e tifozëve: I treguam botës që kemi kapacitet për të menaxhuar një event si finalja e Conference League

Një ditë pas finales së Conference League që u zhvillua në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë një reagim në Facebook, ku shkruan se kjo ngjarje i tregoi botës se Shqipëria ka kapacitet për të menaxhuar evente të tilla.

“Historia u shkrua në Tiranë. Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit, që falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre të jashtëzakonshëm garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre. Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve”, shkruan Çuçi duke “harruar” atë që ndodhi një ditë para finales, ku tifozët shkaktuan trazira dhe kaos në qytet dhe policia u gjet e papërgatitur për të ndaluar euforinë e tyre.

Kujtojmë se nga këto trazira mbetën të plagosur 19 efektivë, njëri prej të cilëve ishte qëlluar me thikë. Ndërkohë, ditën e djeshme policia u mobilizua duke sjellë efektivë nga qarqet, madje dhe nga Kosova./albeu.com


Shtuar 26.05.2022 09:52