Çitaku: PDK do të ndryshojë, jemi vetëm në fillim të reformës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se subjekti i saj është duke shkuar drejt reformës dhe se roli i tyre në Kuvend ka qenë shumë konstruktiv.

PDK pati rezultatin më të keq në histori në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Pas kësaj, PDK shpalli zgjedhjet e brendshme dhe tani ka një kryesi të re. Citaku thotë se kjo është provë për reformat që po ndodhin brenda subjektit.

“Kemi lexuar me kujdes rezultatin e zgjedhjeve dhe po sillemi ashtu sic na ka kërkuar votuesi, por duke shikuar edhe kërkesat e votuesve të partive tjera”, thotë ajo.

Ajo shton se kjo që ka ndodhur brenda PDK-së është vetëm fillimi dhe se qëllimi është rikthimi si partia më e madhe në Kosovë.

“PDK do të ndryshojë, jemi vetëm në fillim të reformës”, thotë ajo.

Citaku tregon edhe rolin e PDK-së në pozitë, duke thënë se PDK po tregohet opozitë konstruktive dhe nuk po bën rolin që kishte VV-ja në të kaluarën kur kundërshtonte gjithçka.

“Ne jemi konstruktivë. Nuk pajtohem me ata që thonë se jemi opozitë e butë pasi që ne kemi kundërshtuar ashpër vendimet që nuk janë në dobi të vendit”, përfundoi ajo. /Gazeta Express

Shtuar 25.01.2022 22:33