Në qendër të Milanos, një turist amerikan është bërë objekt i një grabitjeje, në një episod që ka shtuar shqetësimet për sigurinë në qytet, pasi gjithçka ndodhi vetëm disa metra larg një stacioni policie.
Referuar mediave italiane, turisti ishte duke ecur në kryqëzimin mes rrugëve Fosse Ardeatine dhe Tzeca Vecchia, kur u sulmua nga dy të rinj që u përpoqën t’i merrnin orën, e cila vlerësohet të ketë një çmim rreth 500 euro.
Të lidhura
None found
Ngjarja është konstatuar nga karabinierët, të cilët po vëzhgonin zonën në kohë reale përmes kamerave të sigurisë së stacionit të policisë. Menjëherë pas kësaj, efektivët ndërhynë dhe arritën të vinin në pranga një prej autorëve.
Bëhet fjalë për një 18-vjeçar, shtetas spanjoll me origjinë afrikane, i cili është dërguar në burgun e San Vittore dhe përballet me akuzën e grabitjes.
Ndërsa personi tjetër që mori pjesë në sulm mundi të arratisej, duke përfituar nga rrëmuja e krijuar gjatë ndërhyrjes së policisë, ai mori me vete edhe orën e vjedhur.
Autoritetet italiane kanë hapur hetime për të identifikuar dhe arrestuar autorin e dytë, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak se grabitja ndodhi në një zonë qendrore të Milanos, shumë pranë një stacioni policie.
