Një shkëmbim zjarri në Overasselt, një fshat i vogël në lindje të Holandës, përfundoi me një viktimë dhe dy efektivë policie të plagosur.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit, pranë kufirit me Gjermaninë, ndërsa autoritetet kanë ndaluar 34 persona të dyshuar për përfshirje.
Të lidhura
None found
Sipas policisë, mes të arrestuarve ka shtetas të Holandës, Francës, Belgjikës dhe Algjerisë. Hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes vijojnë.
Regjistrimet nga kamerat e sigurisë tregojnë dhjetëra persona me fytyra të mbuluara, disa prej tyre të pajisur me armë të rënda, teksa lëvizin në një zonë të banuar para se të largohen pas përplasjes së armatosur.
Personi që mbeti i vrarë punonte si roje sigurie në banesën ku ndodhi incidenti. Në të njëjtën banesë ishte shënuar edhe një përplasje e ngjashme rreth një vit më parë.
Gjendja e dy policëve të plagosur nuk paraqitet kritike, bëri të ditur policia holandeze.
Kryetarja e bashkisë së Overasselt, Joerie Minches, e dënoi ngjarjen, duke deklaruar se fshati ishte “viktimë e një forme ekstreme dhune që është krejtësisht e papranueshme”.
Shefja e policisë holandeze, Jannie Knoll, e përshkroi incidentin si “të paprecedentë”.
Mediat lokale raportojnë se përplasja mund të ketë lidhje me trafikantin e drogës Jos Leidekkers, i cili konsiderohet një prej personave më të kërkuar në Holandë dhe është dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine.
Leidekkers ndodhet aktualisht në Sierra Leone dhe prej një kohe të gjatë është në shënjestër të autoriteteve holandeze.
