Një zjarr i madh në pyje vijon të përhapet me ritëm të lartë në jug të Francës, ku deri tani flakët kanë shkrumbuar më shumë se 800 hektarë sipërfaqe.
Në terren janë angazhuar shumë forca zjarrfikëse për të frenuar avancimin e flakëve, megjithatë situata paraqitet e vështirë. Pamjet e ardhura nga zona shfaqin flakë të fuqishme në shpatet e kodrave, re të dendura tymi dhe avionë cisternë që ndërhyjnë nga ajri në ndihmë të ekipeve tokësore të përfshira në operacion.
Të lidhura
None found
Vatra shpërtheu të mërkurën pasdite në Herault dhe mori përhapje të menjëhershme, e nxitur nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez bëri të ditur se gjithsej tre zjarre, dy prej tyre të regjistruara në skajin perëndimor të Marsejës, kanë djegur së bashku 1,210 hektarë.
Javën e kaluar, Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëroi se temperaturat rekord që përfshinë Europën Perëndimore për më shumë se një javë në fund të qershorit do të shtonin rrezikun për zjarre pyjore, duke pasur parasysh pritshmëritë për vapë të qëndrueshme, lagështi të ulët dhe bimësi të tharë.
Ndërkohë, teksa një pjesë e Italisë mbetet nën ndikimin e temperaturave të larta, në kalimin e Stelvios në Alpet italiane janë regjistruar reshje të reja bore. Po ashtu, është bërë virale videoja e dy turistëve të huaj, e cila tregon pasojat e reshjeve të shiut në Positano.
