Tregjet ndërkombëtare të energjisë reaguan me një rritje të fortë të çmimeve të naftës pas sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dhe rikthimit të sanksioneve amerikane mbi eksportet iraniane të naftës.
Të lidhura
None found
Si pasojë, nafta e papërpunuar Brent, që shërben si standard ndërkombëtar referimi, u ngjit me 5.8% dhe arriti në 76.2 dollarë për fuçi. Po ashtu, nafta amerikane WTI shënoi një rritje prej 2.75%, duke shkuar në 72.38 dollarë për fuçi.
Kjo lëvizje në tregje erdhi pasi Uashingtoni kreu sulme ushtarake ndaj objektivave iraniane, si përgjigje ndaj sulmeve kundër anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane riktheu sanksionet ndaj eksporteve të naftës së Iranit.
Tensionet e reja kanë thelluar shqetësimet për furnizimin botëror me naftë, për shkak se Ngushtica e Hormuzit vijon të jetë një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në nivel global.
Ndërkohë, Irani e akuzoi SHBA-në për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit të arritur mes dy vendeve dhe paralajmëroi se do të japë një “përgjigje shkatërruese”, çka ka shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe pasojat e tij në tregjet globale.
