Zjarret e fuqishme pyjore që kanë përfshirë verilindjen e Algjerisë kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 12 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar. Përhapja e flakëve ka detyruar edhe shumë familje të largohen nga banesat e tyre.
Të lidhura
None found
Provincat Jijel, Bejaia dhe Tizi Ouzou janë zonat ku janë shënuar viktimat, sipas autoriteteve dhe mediave algjeriane. Në Jijel kanë humbur jetën pesë persona, në Bejaia katër dhe në Tizi Ouzou tre.
Bejaia mbetet një nga zonat më të goditura. Mes të vdekurve janë një djalë 8-vjeçar dhe një grua 22-vjeçare, ndërsa 54 persona janë plagosur në këtë provincë. Gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Për të ndjekur nga afër përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe situatën shëndetësore të të plagosurve, në Bejaia kanë mbërritur ministri i Brendshëm, Said Sayoud, dhe ministri i Shëndetësisë, Mohamed Sadiq Ait Messaoud.
Erërat e forta po favorizojnë zgjerimin e dhjetëra vatrave të zjarrit, ndërsa autoritetet kanë vënë në dispozicion forca dhe pajisje të shumta për të ndalur përparimin e flakëve.
Mediat lokale kanë publikuar pamje të banorëve të alarmuar, të cilët po kërkojnë strehim ndërsa zjarret dhe tymi i afrohen zonave të banuara. Në disa vende janë evakuuar shumë familje, ndërsa tre rrugë kombëtare në lindje të Algjerisë janë bllokuar për shkak të zjarreve.
Gjatë verës, zjarret pyjore janë të shpeshta në veri të Algjerisë. Thatësirat dhe temperaturat e larta, të rënduara nga ndryshimet klimatike, krijojnë kushte që flakët të përhapen me shpejtësi.
Vetëm gjatë viteve të fundit, zjarret në vend kanë marrë dhjetëra jetë, kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha pyjore e bujqësore dhe kanë shkatërruar banesa. Në disa raste, autoritetet kanë bërë të ditur se zjarret mund të jenë vënë qëllimisht dhe kanë arrestuar persona të dyshuar për zjarrvënie.
