Khalid Sheikh Mohammed, i konsideruar si organizatori kryesor i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, pritet të dalë para gjykatës në qershor të vitit 2028, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Të lidhura
None found
Gjykata ushtarake amerikane ka caktuar qershorin e vitit 2028 si periudhën e nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij. Megjithatë, afati nuk është përfundimtar, pasi mbeten ende për t’u zgjidhur çështje procedurale, veçanërisht ato që lidhen me provat e lejueshme gjatë gjyqit.
Para arrestimit në Pakistan, në mars 2003, Mohammed ishte një prej personave më të rëndësishëm të organizatës terroriste al-Kaeda.
Ai u dërgua në burgun ushtarak amerikan të Guantanamos në shtator 2006 dhe vazhdon të mbahet atje. Më herët, ai ishte burgosur në qendra sekrete të CIA-s, mes tyre edhe në një objekt në Poloni, ku iu nënshtrua marrjeve në pyetje dhe torturave.
Në korrik 2025, një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara anuloi marrëveshjen e pranimit të fajësisë. Marrëveshja parashikonte që Mohammed dhe dy të burgosur të tjerë të shmangnin dënimin me vdekje në këmbim të pranimit të fajësisë.
Guantanamo, qendër e debatit për të drejtat e njeriut
Burgu i Guantanamos ndodhet në një bazë të Marinës Amerikane, në territorin kubanez që Shtetet e Bashkuara e përdorin me qira. Ai u hap pas sulmeve të 11 shtatorit, me urdhër të presidentit të atëhershëm amerikan, George W. Bush.
Gjatë periudhës së funksionimit maksimal, në këtë qendër paraburgimi mbaheshin rreth 800 persona të dyshuar për terrorizëm. Aktualisht, numri i të burgosurve atje është reduktuar në vetëm pak persona.
Për vite me radhë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për mbylljen e Guantanamos, duke e përshkruar atë si simbol të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Edhe pse është përballur me polemika të shumta, burgu vijon të jetë në funksion. Ndërkohë, çështja e Khalid Sheikh Mohammed mbetet ndër proceset gjyqësore më të rëndësishme që lidhen me sulmet e 11 shtatorit.
