Një festë familjare për 4 Korrikun në lagjen Coney Island të Bruklinit, në Nju Jork, u kthye në skenë dhune pasi të paktën tetë persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri, ndër ta katër fëmijë.
Të lidhura
None found
Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja u regjistrua rreth orës 22:35 të së shtunës, në kohën kur një familje po festonte në oborrin e banesës. Sulmuesi iu afrua gardhit përgjatë Surf Avenue, qëlloi disa herë në drejtim të turmës dhe më pas u largua me shpejtësi.
Autori ishte i veshur i gjithi me të zeza dhe mbante maskë në fytyrë.
Në vendngjarje, efektivët gjetën tetë të plagosur: katër djem 6, 7, 12 dhe 14 vjeç, dy gra 21 dhe 25 vjeçe, si edhe dy burra 33 dhe 37 vjeç.
Autoritetet njoftuan se 21-vjeçarja dhe 33-vjeçari janë qëlluar në gjoks, ndërsa 6-vjeçari është plagosur në bark. Tre djemtë e tjerë kanë marrë plagë në këmbë. Gruaja 21-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, ndërsa shtatë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e dënoi ashpër këtë sulm.
“Nuk ka vend për një dhunë të tillë në qytetin tonë. Nuk do ta tolerojmë dhe do ta luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion. Ndërsa ndajmë dhimbjen me familjet e të plagosurve, duhet të angazhohemi që çdo festë dhe çdo ditë pushimi të jetë e sigurt për qytetarët”, deklaroi ai.
Policia ende nuk ka zbuluar identitetin e viktimave dhe nuk ka konfirmuar motivin e sulmit. Megjithatë, komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, tha se para të shtënave nuk ishte shënuar asnjë konflikt apo debat gjatë festës.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se javën e kaluar, në të njëjtën rrugë, ishte regjistruar një vrasje e lidhur me aktivitetet e bandave kriminale, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse dy rastet kanë ndonjë lidhje mes tyre.
Nga vendi i ngjarjes u sekuestrua një armë e tipit TEC-9 dhe 10 gëzhoja.
Ndërkohë, në Bruklin u regjistrua edhe një tjetër incident me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së dielës. Një detektiv i Policisë së Nju Jorkut u qëllua gjatë një përballjeje me një 18-vjeçar të armatosur në lagjen Crown Heights.
Sipas autoriteteve, plumbi goditi jelekun antiplumb të efektivit, i cili nuk pësoi lëndime serioze.
