Një student 21-vjeçar nga India qendrore ndërmori i vetëm një detyrë që për shumëkënd dukej e pamundur: pastrimin e lumit Ajnar, i cili ishte kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh.
Të lidhura
None found
Surendra Singh Choudhary, i njohur në rrjetet sociale me emrin “Bittu Tabahi”, filloi në janar të hynte në ujërat e ndotura të lumit, në shtetin Madhya Pradesh. Me duart e tij ai largoi plastikë, shishe, alga dhe mbeturina të llojeve të ndryshme.
Në ditët e para, në aksion morën pjesë edhe disa prej miqve të tij. Megjithatë, ndërsa ata u tërhoqën gradualisht, Choudhary e vazhdoi thuajse i vetëm misionin dhe u kthye çdo ditë te lumi.
Prindërve të tij u thoshte se po luante kriket
Studenti ndjek universitetin në qytetin e vogël Biaora dhe jeton bashkë me prindërit. Për të mos i shqetësuar ata, në fillim u tregonte se do të luante kriket ose do të takohej me miqtë. Në fakt, ai shkonte në lumin Ajnar për të vijuar pastrimin.
Vendimi për të vepruar erdhi pasi pa gjendjen e rëndë të lumit, i cili kalon pranë një tempulli që i riu e vizitonte shpesh.
“Sa herë shkoja në tempull ose kaloja pranë lumit, mendoja se duhet ta pastroja”, ka rrëfyer Choudhary. Kjo ide u kthye në një përpjekje që zgjati për muaj të tërë.
Edhe pse nuk dinte të notonte
Puna nuk u ndërpre as për shkak të kushteve të vështira të motit apo netëve të nxehta të verës. Choudhary nuk kishte pajisje të posaçme mbrojtëse dhe e pranon se nuk dinte as të notonte.
“Doja të ndërtoja një makineri për ta pastruar lumin, por nuk kisha para. Jam student. Kështu mendova se do ta pastroja aq sa mundja me duart e mia”, ka deklaruar ai.
Kontakti i vazhdueshëm me ujin e ndotur pati pasoja edhe për shëndetin e tij. I riu pësoi infeksione, ndërsa lëkura e duarve dhe e këmbëve filloi t’i zhvishej.
Së bashku me miqtë, ai siguroi paratë për pajisjet që i nevojiteshin. Sipas llogaritjeve të vetë Choudhary-t, përpjekja i ka kushtuar rreth 30 mijë rupi, ose afërsisht 230 euro. Ai vendosi gjithashtu kosha pranë lumit, pa marrë ndihmë financiare nga shteti.
Vëmendja ndërkombëtare për një histori që nisi në një qytet të vogël
Fotot dhe videot që tregonin lumin para dhe pas pastrimit nisën të qarkullonin në internet, duke e bërë historinë të njohur përtej Biaoras. Sipërmarrësi indian dhe presidenti i grupit Mahindra, Anand Mahindra, publikoi në rrjetin X një video të aksionit, pasi disa persona e kishin akuzuar të riun se po vepronte vetëm për t’u bërë i famshëm në rrjetet sociale.
“Nëse dëshira për të marrë pëlqime mund të shndërrohet në një forcë për të bërë mirë, atëherë nuk kam asnjë problem me këtë”, shkroi Mahindra.
Rasti u shpërnda gjithashtu nga Kevin Pietersen, ish-kapiteni i kombëtares angleze të kriketit. Ai publikoi fotografi të lumit para dhe pas ndërhyrjes, duke e përshkruar punën si “Një përpjekje heroike. Meriton njohje ndërkombëtare.”
Megjithatë, disa përdorues të internetit dyshuan për vërtetësinë e fotografive dhe pretenduan se pamjet “para dhe pas” ishin krijuar me inteligjencë artificiale. Choudhary iu përgjigj këtyre kritikave duke publikuar prova të punës së kryer gjatë muajve dhe duke dokumentuar përpjekjen që, në pjesën më të madhe, e kishte bërë i vetëm.
Pas përhapjes së gjerë të historisë, autoritetet lokale të Biaoras vendosën të mbështesnin nismën. Ato dërguan makineri për të hequr sasitë e mëdha të mbeturinave, ndërsa në pastrim u përfshinë edhe banorë të zonës.
Por, sipas 21-vjeçarit, largimi i mbetjeve nuk e zgjidh problemin nëse ndotja vazhdon.
“Nuk mjafton të heqësh mbeturinat”
Pesë tuba të mëdhenj kanalizimesh derdhin ujëra të zeza në lumin e Biaoras. Në ndotjen e tij ndikojnë edhe objekte e materiale që hidhen në ujë gjatë disa zakoneve fetare lokale, mes tyre lule dhe sende të tjera. Një pjesë të këtyre materialeve Choudhary i mbledh dhe i përdor për të prodhuar kompost.
“Nuk e kuptoj pse njerëzit hedhin mbeturina në lumë. Nuk e di pse e bëjnë. Nuk mund t’i ndalosh”, është shprehur ai.
Pavarësisht kësaj, nisma e studentit ka filluar të ndikojë në mënyrën se si komuniteti e percepton lumin. Historia e tij ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Indisë.
Të premten, Boyan Slat, shpikësi holandez dhe themeluesi i organizatës The Ocean Cleanup, iu përgjigj një postimi për punën e Choudhary-t me një ftesë të shkurtër: “Eja të punosh me ne.”
Ndërkohë, Mohan Yadav, kreu i shtetit Madhya Pradesh, e priti 21-vjeçarin në rezidencën e tij në Bhopal dhe e vlerësoi publikisht për përpjekjen e ndërmarrë.
Choudhary, i cili në fillim u thoshte prindërve se po dilte të luante kriket, tashmë është kthyer në shembullin e një njeriu që nisi i vetëm pastrimin e një lumi të mbushur me mbeturina dhe frymëzoi më pas një komunitet të tërë të përfshihej në ndryshim.
