Shtetet e Gjirit Persik forcojnë mbrojtjen mes frikës për një konflikt të ri SHBA-Iran

Rreziku i një përballjeje të re ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shqetëson vendet e Gjirit Persik. Në konferencën ndërkombëtare të sigurisë “Manama Dialogue”, të mbajtur në Bahrein, zyrtarë dhe analistë paralajmëruan se luftimet mund të rifillojnë së shpejti.

Sipas analistëve të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, sinjalet që vijnë nga administrata amerikane tregojnë se mund të jenë duke u bërë përgatitje për një tjetër sulm ushtarak kundër Iranit.

Të lidhura

None found

Për t’iu përgjigjur këtij rreziku, shtetet e Gjirit Persik po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Ato po blejnë sisteme bashkëkohore ushtarake dhe teknologji kundër dronëve, si edhe po zgjerojnë bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë. Një përshkallëzim tjetër do të sillte pasoja të rënda për sigurinë e rajonit dhe ekonominë botërore.

Përfaqësuesi gjerman Nils Schmid tha se konflikti ka ndikuar tashmë në shtrenjtimin e naftës, rritjen e inflacionit dhe dobësimin e ekonomisë. Për këtë arsye, Gjermania dhe shtetet e tjera europiane mbështesin zgjidhjen e ngërçit përmes diplomacisë.

Vendet arabe të Gjirit, ndërkohë, po përpiqen të zgjerojnë rrethin e partnerëve të sigurisë, mes dyshimeve në rritje për mbështetjen afatgjatë vetëm te SHBA-ja. Bashkëpunime të reja po krijohen me Turqinë, Pakistanin dhe Korenë e Jugut, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe po investojnë edhe në teknologji izraelite.

Megjithë tensionet, përpjekjet për të parandaluar një konflikt të ri po vazhdojnë në rrugë diplomatike. Katari është aktualisht në bisedime si me Iranin, ashtu edhe me SHBA-në.


Shtuar më 2.11.2026 13:14