Shkencëtarët po e cilësojnë valën e fortë të të nxehtit që goditi Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë majit dhe qershorit si një tjetër dëshmi të qartë të efekteve të ndryshimeve klimatike.
Të lidhura
None found
Një analizë e BBC vlerëson se rekordet e temperaturave të shënuara këtë vit tregojnë se Evropa po hyn në një fazë ku stinët e verës do të jenë gjithnjë e më të nxehta.
Gjatë muajit qershor, një sërë vendesh evropiane regjistruan temperatura rekord për këtë periudhë, ndërsa në disa prej tyre termometri kaloi mbi 40 gradë Celsius. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperatura shkoi në 37.7°C, duke thyer rekorde që kishin mbetur në fuqi prej dekadash.
Sipas specialistëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore kanë bërë që valët e të nxehtit të shfaqen më shpesh, të jenë më të forta dhe të zgjasin më shumë. Krahas vapës së ditës, edhe netët po regjistrohen më të ngrohta, çka e bën më të vështirë rikuperimin e trupit nga temperaturat e larta.
Sipas shkencëtarëve, Evropa është kontinenti që po ngrohet me ritmin më të shpejtë në botë. Në këtë prirje po ndikojnë shkrirja e akullit dhe borës, pakësimi i ndotjes nga grimcat në atmosferë, si edhe rritja e temperaturave të deteve.
Edhe ngrohja e ujërave përreth Evropës pritet të luajë rol në fuqizimin e valëve të ardhshme të të nxehtit, pasi uji i ngrohtë e mban nxehtësinë për më gjatë dhe dobëson efektin freskues të erërave që vijnë nga deti.
Shkencëtarët nënvizojnë se këto episode të nxehti do të bëhen edhe më të rënda nëse emetimet globale të gazeve serrë nuk ulen. Sipas tyre, verat nuk do të rezultojnë domosdoshmërisht çdo vit më të nxehta se ato paraardhëse, por drejtimi afatgjatë mbetet i qartë: temperatura mesatare në Evropë do të vazhdojë të rritet.
