Tre persona kanë vdekur pas rrëzimit të një avioni të vogël njëmotorësh në Alpet Zvicerane, në pjesën jugperëndimore të vendit.
Të lidhura
None found
Policia kantonale e Valais bëri të ditur se aksidenti ndodhi pasditen e së martës, kur avioni u përplas në shpatin verior të një mali në zonën Fluchalp, pranë vendpushimit malor Leukerbad. Përplasja u regjistrua pak pas orës 16:00 me orën lokale.
Banorët e zonës lajmëruan shërbimet e emergjencës pasi vunë re tym që ngrihej nga vendi i rrëzimit. Në deklaratën e saj, policia tha se, për shkaqe ende të panjohura, avioni ishte rrëzuar në shpatin verior të malit në Fluchalp të Leukerbad dhe se më pas në zonë ishin konstatuar gjurmë tymi.
Në bord ndodheshin tre persona dhe asnjëri prej tyre nuk mbijetoi. Autoritetet zvicerane kanë filluar procedurat për identifikimin e viktimave, por deri tani emrat e tyre nuk janë publikuar.
Avioni ishte nisur nga Lugano, në kantonin italishtfolës të Ticinos, dhe kishte ndaluar në Sion, në kantonin e Valais. Më pas kishte marrë drejtimin për në aeroportin Buchs, në kantonin e Nidwalden, por u rrëzua në terrenin malor për arsye që mbeten të paqarta.
Në operacionin e zhvilluar në vendngjarje u përfshinë forcat e shpëtimit, tre helikopterë dhe dy ekipe të specializuara. Një fotografi e bërë publike nga policia lokale paraqet pjesët e avionit të shpërndara përgjatë shpatit të malit.
Për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të sakta të aksidentit, autoritetet federale zvicerane kanë nisur hetimet. Në të njëjtën kohë, nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorit Federal dhe në bashkëpunim me policinë kantonale të Valais, po kryhet edhe një hetim penal.
Deri në këtë fazë nuk është publikuar asnjë e dhënë as për identitetin e tre personave që humbën jetën, as për ngjarjet që çuan në përplasje.
