Çmimet e karburanteve dhe gazit në Evropë kanë kapur nivele të paprecedenta, duke shtuar kërkesat ndaj qeverive të Bashkimit Evropian për masa ndërhyrëse.
Të lidhura
None found
Mes propozimeve të ngritura është edhe vendosja e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës dhe energjisë. Gjermania i ka kërkuar Komisionit Evropian të shqyrtojë këtë mundësi, ndërsa disa vende anëtare kanë marrë masa për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe bizneset.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian të hartojë propozime për mënyrën e tatimit të fitimeve të kompanive të naftës. Ai argumentoi se disa prej këtyre kompanive po përfitojnë ndjeshëm nga shtrenjtimi i energjisë.
“Disa shtete anëtare kanë kërkuar modele për një kohë të gjatë”, deklaroi Klingbeil gjatë takimit të ministrave të Financave të BE-së në Dublin. Ai kërkoi që propozimet të paraqiten muajin e ardhshëm.
Komisioneri ekonomik i BE-së, Valdis Dombrovskis, tha se Komisioni nuk disponon aktualisht një plan për krijimin e një mekanizmi tatimor që do të zbatohej në të gjithë Bashkimin Evropian. Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm për diskutime dhe theksoi se shtetet anëtare mund të miratojnë masa tatimore në nivel kombëtar.
Shtrenjtimi i karburanteve vjen në një kohë kur tregjet energjetike po përballen me tronditje të reja dhe pasiguri rreth furnizimeve ndërkombëtare.
Kontratat e ardhshme të naftës janë ngjitur përsëri mbi 100 dollarë për fuçi, rreth 50% më shumë krahasuar me periudhën para përshkallëzimit të luftës në Iran. Shtimi i sulmeve në Lindjen e Mesme ka rritur shqetësimet për korridoret e furnizimit, ndërsa tregjet e derivateve tregojnë se çmimet mund të qëndrojnë të larta edhe në afat të shkurtër.
Brenda BE-së, benzina është shtrenjtuar me rreth 24% në raport me një vit më parë, ndërsa çmimi i naftës është rritur me rreth 38%. Karburanti i avionëve kushton më shumë se dy herë krahasuar me një vit më parë.
Rritje të fortë kanë shënuar edhe çmimet e gazit. Kontratat referencë po tregtohen pranë nivelit 81 euro për megavat-orë, rreth 150% mbi çmimin e një viti më parë, ndërsa analistët nuk përjashtojnë një tjetër rritje.
Sipas ADAC, klubit më të madh automobilistik në Gjermani, çmimi mesatar i naftës në vend ka arritur 2.45 euro për litër. Benzina është ngjitur në një rekord prej 2.31 euro për litër.
Në Holandë, nivelet janë edhe më të larta: benzina kushton rreth 2.73 euro për litër, ndërsa nafta është shitur me një mesatare prej 2.78 euro për litër. Rekorde të tjera janë shënuar për benzinën në Danimarkë dhe për naftën në Finlandë. Në disa prej ekonomive më të mëdha të BE-së, rritja e karburanteve tashmë është kthyer në një temë të rëndësishme të politikës së brendshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron u ka kërkuar ministrave të angazhojnë qeverinë për garantimin e furnizimeve dhe kufizimin e pasojave të çmimeve të larta të karburantit.
Autoritetet franceze po punojnë njëkohësisht për sigurimin e furnizimeve nga tregjet ndërkombëtare dhe kanë bërë thirrje për një “rihapje paqësore” të ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë.
Shtrenjtimi ka nxitur edhe protesta. Të enjten, peshkatarët francezë bllokuan hyrjen në dy porte dhe në një depo karburanti në jug të vendit. Nafta e përdorur për peshkim është rritur në rreth 2.37 euro për litër, shumë pranë rekordit prej 2.38 eurosh.
Pas bisedimeve me qeverinë, protestuesit ranë dakord të largonin bllokadat. Në këmbim, atyre iu premtuan kredi pa interes për bizneset që përballen me probleme likuiditeti, si dhe masa mbështetëse të lidhura me luhatjet e çmimeve të karburantit.
Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka vendosur gjithashtu të zgjasë deri në fund të vitit subvencionet emergjente për karburantin në sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe ndërtimit.
Në Itali, qeveria e Giorgia Melonit ka bërë të ditura masa që synojnë të ulin barrën financiare për drejtuesit e automjeteve.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, pritet të hiqet taksa rrugore për rreth 14.5 milionë makina dhe motoçikleta, me një kosto që i kalon 2 miliardë eurot. Kjo masë do t’i shtohet uljes së taksës mbi naftën, e cila deri tani i ka kushtuar shtetit rreth 2.8 miliardë euro.
Spanja ka dyfishuar zbritjen e taksës për naftën, duke e çuar atë në 0.20 euro për litër nga 1 shtatori. Vendimi u mor pasi çmimi i naftës u rrit me 15.7% vetëm gjatë muajit korrik.
Në Gjermani, kancelari Friedrich Merz ka premtuar masa të tjera për të zbutur pasojat e çmimeve rekord. Berlini kishte ulur përkohësisht taksat mbi karburantet për dy muaj gjatë majit, por kjo masë përfundoi në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme po ushtronin sërish presion në rritje mbi çmimet.
