Një stërvitje e fshehtë ushtarake, në të cilën forcat ruse u trajnuan nga Kina vitin e kaluar, u autorizua personalisht nga ministri i mbrojtjes i Presidentit Vladimir Putin. Sipas dy zyrtarëve evropianë dhe dokumenteve të siguruara nga Reuters, në këtë proces u përfshinë drejtpërdrejt të paktën katër gjeneralë rusë dhe kinezë.
Një dokument i klasifikuar rus përmendte në mënyrë të drejtpërdrejtë një dekret të brendshëm të nxjerrë nga ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov në gusht të vitit 2025. Në atë dokument thuhej se, bazuar në vendimin e Belousov, një delegacion i forcave të armatosura ruse udhëtoi drejt Kinës për të marrë pjesë në ushtrime stërvitore në objektet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA).
Të lidhura
None found
I njëjti raport jepte hollësi edhe për një nga programet e trajnimit: një sesion tre-javor i zhvilluar në nëntor në një strukturë ushtarake në Pekin, me fokus te mbrojtja radiologjike, kimike dhe biologjike.
Në material përshkruhej gjithashtu, përmes imazheve, se si ushtarët rusë dëgjonin leksione nga një instruktor kinez, vëzhgonin një model reaktori bërthamor dhe trajnoheshin për “zbulimin kimik”, “zbulimin e rrezatimit” si dhe për mbrojtjen e sistemeve të ventilimit nga ndotja.
Zyrtarët thanë se përfshirja e figurave kaq të larta në trajnime që lidhen me luftën në Ukrainë tregonte rëndësinë që ky bashkëpunim ka për Rusinë dhe Kinën. Sipas tyre, kjo ka ngritur shqetësim në Evropë, ndonëse Pekini e ka mohuar se një gjë e tillë ka ndodhur.
