Një dekret i firmosur nga kryeministri Mikhail Mishustin, i publikuar në Moskë dhe i zbatuar menjëherë, ka sjellë mbylljen e shtatë pikave kryesore kufitare të Rusisë me Finlandën, Estoninë dhe Letoninë.
Me këtë vendim, pezullohet për një periudhë të pacaktuar qarkullimi i personave, automjeteve, mallrave dhe dërgesave tregtare në këto kalime kufitare.
Të lidhura
None found
Masa prek pikat kufitare në rajonin e Leningradit, në Karelia, në zonën mes Shën Petersburgut dhe Finlandës, si edhe në rajonin e Pskovit pranë kufirit me Letoninë.
Në kufizime përfshihen gjithashtu disa prej linjave hekurudhore më të rëndësishme që lidhin Rusinë me Bashkimin Evropian.
Në dokument nuk jepet asnjë sqarim zyrtar për motivet e mbylljes së këtyre pikave kufitare. Megjithatë, vendimi merret në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Moskës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të ndikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike.
Sipas analizave, një nga shkaqet e mundshme mund të lidhet me përpjekjen për të kufizuar largimin e qytetarëve rusë jashtë vendit në rast të një mobilizimi të ri ushtarak.
Një interpretim tjetër është se Moska po kërkon të rrisë presionin ekonomik ndaj vendeve fqinje të Bashkimit Evropian dhe disa ish-republikave sovjetike.
Pasojat e kësaj mbylljeje pritet të ndihen në transportin e mallrave, përfshirë eksportin e plehrave kimike drejt Finlandës, si edhe në korridoret tregtare që përdoren nga Kazakistani dhe Uzbekistani për të dërguar produktet e tyre në tregun evropian përmes territorit rus.
Deri tani, autoritetet ruse nuk kanë dhënë hollësi të tjera lidhur me kohëzgjatjen e masës ose nëse ekziston mundësia e rihapjes së këtyre pikave kufitare.
